Marco Raduano konsiderohet kreu i një klani mafioz në Vieste, i cili arriti të rifitonte lirinë duke u arratisur nga burgu i sigurisë së lartë ‘Badu’, duke përdorur metodën klasike, atë me çarçafë.
Raduano një element kryesor i krimit të organizuar në Gargano, iu rikthye rrugëve të krimit. I quajtur ‘tollumbaci’, ai ka një karrierë shumë të gjatë kriminale dhe mbi shpinë ka dënime që duhet të përfundonin në vitin 2046, për trafik droge, vrasje, krime kundër personit dhe kundër pronës. Më datë 3 shkurt, ai u njoftua për një dënim prej 19 vitesh burg, me tre vite shtesë me kusht.
Burgu i Badu është një burg i sigurisë maksimale ku mbahen disa terroristë dhe mafiozë dhe nga i cili askush nuk ia ka dalë asnjëherë të arratiset.
“Në disa raste ne kishim raportuar mungesën e personelit të policisë së burgjeve, gjë që na pengoi të siguronim mbikëqyrje skrupuloze për shkak të llojit të të burgosurve të mbajtur në institutin Nuoro. Sardenja ka 4 institute që mbajnë të burgosur të sigurisë së lartë që i përkasin majës së krimit të organizuar dhe të gjithë janë në vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së personelit,”– tha sekretari i sindikatës autonome të policisë së burgjeve.
Ajo që ndodhi është e paprecedentë dhe është pasojë e dobësimit të politikave të sigurisë së burgjeve.