I shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, policia Holandeze arriti të arrestojë një nga shqiptarët më të rrezikshëm Eljo Bitri.
Bitri ishte shpallur në kërkim pas dëshmisë se të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Kush është Eljo Bitri
Më 5 nëntor të vitit 2020 në shtëpinë e të shumëkërkuarit të drejtësisë Talo Çela u vendos një sasi tritoli.
Ishte shtetasi Elio Bitri, ai që i vuri Talo Çelës tritol në banesën e tij, ku policia gjeti 2.8 kg lëndë plasë që nuk shpërtheu. Sasi e vendosur mund ta rrëzonte vilën 2-katëshe.
Tritoli shpërtheu në pjesën e jashtme të shtëpisë dhe pati dëme materiale.
Autori asokohe nuk u zbulua dot, pasi në zonën ku ndodhet shtëpia nuk ka banesa të tjera afër dhe as kamera të cilat mund të kenë filmuar ngjarjen. Shtëpia ndodhej 150 metra larg vendit ku u ekzekutua vëllai i Talos, Bujar Çela.
E gjithë tentativa për t’i hedhur në erë shtëpinë Talo Çelës, erdhi pasi ky i fundit tentoi të vrite Florenc Çapjen, plan i cili mbeti në tentativë.
Njëherazi Talo Çela dyshohet se siguroi mjete për të vrarë Sokol Sanxhaktarin, ashtu si edhe i kërkuari tjetër Florenc Çapja që bëri të njëjtin plan, por nuk e realizoi dot.
Eljo Bitri, rezulton të jetë vëllai i Lulzim Bitrit, që mbeti i vrarë në tetor 2021 së bashku me Ardjan Çollakun në Elbasan.
Sipas Dumanit ishte pikërisht shoku i tij, Eljo Bitri, ai që i vuri tritolin Talo Çelës në banesën e tij, duke sjellë shkatërrimin pjesërisht të katit të parë.