Vendi vakant i kryebashkiakut në Bashkinë e Lushnjës, është plotësuar sot pas shkarkimit nga detyra të Fatos Tushes, duke zgjedhur kreun e ri të institucionit që qeveris “kryeqendrën” e Myzeqesë.
Pas shkarkimit nga detyra të ish-kryebashkiakut Tushe, i cili u arrestua dhe akuzua nga SPAK për abuzime me tenderët publikë të kësaj bashkie, Fatosi u përjashtua edhe nga Partia Socialiste me kërkesë dhe vendim të kryetarit dhe kryeministrit njëkohësisht, Edi Rama.
Ky i fundit deklaroi, se vetëm nëse Fatos Tushe do të dilte nga e gjithë kjo histori i pafajshëm mund të rikthehej si një anëtar i thjeshtë të gjirin e PS-së.
Por sot Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka zgjedhur në krye të Bashkisë nënkryetaren Eriselda Sefa, pak ditë pas arrestimit dhe shkarkimit më pas të ish-kryebashkiakut Tushe, i akuzuar për afera korruptive.
Eriselda Sefa është komanduar sot nga Këshilli Bashkiak, për të marrë drejtimin e Bashkisë së Lushnjës, teksa fillimisht në garë ishte dhe nënkryetari Gentian Nushi, njëherazi edhe kryetari i PS-së për Bashkinë Lushnjë, i cili u tërhoq më pas nga gara.
Nushi, u tërhoq dhe nuk pranoi të zgjidhej kryebashkiak, pasi mban postin e kryetarit të PS-së.
Kështu me 24 vota pro, Këshilli Bashkiak ka zgjedhur Eriselda Sefën, si kryebashkiake të re dhe që do ta drejtojë këtë institucion deri në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kujtojmë se ndryshe nga raste të tjera më të hershme, kryeministri Rama u distancua menjëherë pas arrestimit të kryebashkiakut socialist Tushe dhe firmosi shkarkimin e tij menjëherë dhe përjashtimin nga radhët e partisë.
/Priza.al/