U dëbuan nga selia e NATO-s, kush ishin 8 spiunët e Rusisë që u shtirën si diplomatë

Një nënkolonel me lidhje të nivelit të lartë në Kremlin, një agjent i shërbimit kundër-inteligjent, dhe një specialist i të dhënave të mëdha (Big Data), identitetet e 8 rusëve të dëbuar së fundmi nga selia e NATO-s në Bruksel, na japin disa nga arsyet se pse Moska reagoi kaq ashpër dhe shpjegojnë se çfarë po bënin atje operativët e saj.

Tetë rastet që pretendonin se ishin “diplomatë” në ambasadën ruse në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin në fakt “oficerë të padeklaruar të shërbimeve sekrete” që kryenin “aktivitete që nuk ishin në përputhje me akreditimin e tyre”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg kur njoftoi dëbimet tetorin e vitit të kaluar.

NATO nuk i përmendi kurrë me emër, gjë që nënkuptonte se ata mund të ktheheshin pa zhurmë në Rusi, dhe më pas të dërgoheshin me mision në vende të tjera jashtë NATO-s, sërish nën mbulimin diplomatik. Por pas atij momenti, Rusia e mbylli të gjithë ambasadën e saj në selinë qendrore të NATO-s.

Reagimi i saj u lexua si një përpjekje për të shpërfillur aleancën perëndimore, ndërsa Rusia dhe NATO kanë nisur bisedimet mbi kërcënimin që Rusia mund të nisë një luftë të re kundër Ukrainës. Por lidhjet e nivelit të lartë të disa prej atyre që u dëbuan me urdhrin e vetë Stoltenberg, treguan se zemërimi i Kremlinit mund të kishte pasur një dimension personal.

Ato treguan rëndësinë që ka shtabi i NATO-s si një objektiv në sytë e Rusisë. Dhe CV-të e këtyre njerëzve hedhin dritë mbi llojin e njerëzve që po dërgonin në Belgjikë shërbimet ruse të spiunazhit, ku synohen si institucionet e BE-së po ashtu edhe ato belge.

Tetë diplomatët spiunë rusë ishin Sergei Chesnokov, Oleg Demekhin, Vasily Epishkin, Dmitry Filippenok, Igor Kovalev, Nadezhda Obukhova, Alexander Smushko dhe Stanislav Telegin, sipas informacionit të marrë falë një investigimi të përbashkët nga “Dossier Center”, një ojq me qendër në Londër dhe EUobserver.

Nina Smushko

Smushko, që është me origjinë estoneze, ishte diplomuar fillimisht në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja dhe Informacionit të Huaj Ushtarak në Universitetin Ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes (VUMO) në Moskë. Ai u emërua më pas nënkolonel dhe zëvendës shef i departamentit të VUMO-s.

Më vonë, ai gjithashtu iu bashkua shërbimit sekret të ushtrisë ruse GRU. Përpara se të vinte në Bruksel, ai kishte punuar si përkthyes personal i Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, shefit të forcave të armatosura ruse Valery Gerasimov, dhe ish-Ministrit rus të Mbrojtjes Anatoly Serdyukov, në bisedimet e tyre me figurat më të larta politike dhe ushtarake në mbarë botën.

Edhe bashkëshortja e tij Nina u largua nga Belgjika bashkë me të shoqin. Edhe pse ajo nuk punonte zyrtarisht si diplomate në Bruksel, dhe nuk u dëbua zyrtarisht, edhe profili i saj ishte shqetësim për autoritetet europiane.

Edhe Nina Smushko ishte diplomuar në VUMO, ku kishte marrë gradën ushtarake të kapitenes, dhe po ashtu kishte punuar më parë si përkthyese  e ushtarakëve nga Indonezia, Malajzia dhe Venezuela në VUMO, vende tek të cilat Rusia eksporton armë.

Ndërkohë, Filippenok, të cilin NATO e dëboi zyrtarisht, mund të ketë qenë hedhur në Bruksel për të spiunuar rusët që jetojnë atje. Rusia ka rreth 200 diplomatë dhe zyrtarë konsullorë në misione të ndryshme në Bruksel, dhe në qytetin e dytë më të madh të Belgjikës, Antverp.

Filippenok ishte zyrtarisht, një sekretar i parë i nivelit të ulët në ambasadën ruse të NATO-s. Por, në realitet, ai ka të ngjarë të jetë dërguar në Belgjikë për të zbuluar tradhtarët në radhët e vetë rusëve.

Filippenok, që jetonte dikur në qytetin rus Shën Petersburg, ishte sipas të dhënave telefonike ruse të ekzaminuara nga “Dossier Center”, një anëtar i njësisë 55297 të shërbimit të brendshëm të spiunazhit të Rusisë, FSB. Dhe kjo njësi është Drejtoria Ushtarake e Kundërzbulimit të FSB-së për Qarkun Ushtarak Perëndimor.

Filippenok angazhohej shpesh në aktivitete të ndryshme në Bruksel. Për shembull në shtator 2018, ai mori pjesë në një konferencë mbi misionet paqe-ndërtuese të BE-së të organizuara nga Qendra për Studime të Politikave Evropian. Por nëse ai ishte në kërkim të tradhtarëve rusë, atëherë disa nga shokët e tij spiunë, duket se po kërkonin të fshehta të tjera.

Vasili Epishkin

Epishkin, edhe ai i dëbuar nga selia e NATO-s, dukej se ishte i interesuar mbi atë që Perëndimi po bënte me të dhënat e mëdha. Ai është diplomuar si toger rezervë në departamentin 609 të Institutit të Aviacionit të Moskës (MAI), që mëson “Informatikën e Aplikuar” – softuerë të sistemit, sisteme të komunikimit kompjuterik, matematikën e aplikuar, inteligjencën artificiale dhe përpunimin e të dhënave të mëdha.

Në një moment, ai iu bashkua shërbimit të inteligjencës së jashtme të Rusisë, SVR. Edhe ai ka marrë pjesë në shumë aktivitete në Bruksel, si për shembull në një seminar me temë “Big Data Europe” në vitin 2017, së bashku me ekspertë të tjerë të fushës nga BE, SHBA, India dhe Japonia, ku u bënë publike shumë të dhëna.

Edhe Chesnokov, një tjetër nga tetë spiunët rusë, kishte një histori të ngjashme. Para mbërritjes së tij në Bruksel, ai kishte punuar për Antaris-TP, një kompani ruse e lidhur me shtetin, e cila kryente kërkime shkencore dhe krijonte baza të dhënash për llogari të Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe FSB-së.

VUMO dhe MAI, ku studionin Smushkin dhe Epishkin, janë qendra të njohura rekrutimi për inteligjencën ruse. Por i tillë është edhe Instituti Shtetëror i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë (MGIMO), ku kishin studiuar Telegin dhe Demekhin, të cilët NATO-ja po ashtu i largoi.

“Si rregull, rekrutuesit fillojnë t`i vëzhgojnë nga afër studentët që nga viti i parë, dhe kur vjen koha e diplomimit, kandidatët ftohen në një bisedë konfidenciale kur dhe u bëhen oferta të majme për të punuar për të mirën e atdheut”- tha një burim rus.

Stainslav Telegin

Telegin më pas shkoi të punonte për departamentin financiar të ministrisë së jashtme ruse në misione jashtë shtetit, por zyrtarisht u pagua me kikirikë për punën e tij, sipas deklaratave të tij tatimore të vitit 1999.

“Kjo është një praktikë e zakonshme e shërbimeve sekrete. Është njëlloj sikur ti të punoje në një organizatë, por pagën e vërtetë e merr në llogarinë bankare në vendin ku je caktuar të kryesh shërbimin (për degën e shërbimit sekret)”- tha një tjetër burim rus.

Telegin dhe Demekin kishin apartamente në komplekset e ndërtuara nga qeveria në lagjet Rublevskoye Michurinsky Prospect në Moskë. Disa nga fqinjët e tyre ishin gjithashtu oficerë të inteligjencës ose zyrtarë të ushtrisë, qeveritarë dhe punonjës të bankave shtetërore ruse, të cilët dërgoheshin për misione në ambasadat e huaja apo për çështje bankare, zbuloi “Dossier Center”.

Por nëse diplomimi nga VUMO, MAI ose MGIMO ishte pjesë e profilit tipik të një agjenti rus, të tjerët ishin me më pak përvojë në këtë aspekt. Për shembull Kovalev, ishte një moskovit që punonte për sindikatat e punëtorëve të transportit rrugor, përpara se të shkonte të punonte në ofiçinën e makinave të Ministrisë së Jashtme ruse.

Edhe Obukhova, që kishte qenë një “këshilltare” në ambasadën ruse të NATO-s përpara dëbimit të saj, lindi në një fshat në një familje modeste pranë Noginskut, në Rusinë Qendrore. Ajo filloi të postonte katalogë reklamash për një firmë qiprioto-gjermane në vitin 2002.

Ajo iu bashkua stafit të Ministrisë së Jashtme ruse, dhe më vonë u bë atashe në ambasadën ruse në Otava të Kanadasë. Para se të shkonte në Bruksel, ajo u vlerësua në vitin 2006 nga presidenti rus Vladimir Putin për “përgatitjen e samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve të G8-ës në Shën Petersburg”.

Dëbimet e NATO-s vitin e kaluar ishin të katërtat në radhë vetëm kohët e fundit. Procesi i dëbimeve nisi që në vitin 2009, kur NATO dëboi Vasily Chizhov, djalin e ambasadorit të atëhershëm dhe atij aktual të Rusisë në BE, Vladimir Chizhov, si dhe një tjetër diplomat rus, Viktor Kochukov, me akuzën e spiunazhit.

Sipas vlerësimeve të burimeve të inteligjencës perëndimore, të paktën gjysma (rreth 100) e diplomatëve të akredituar të Rusisë ishin oficerë të shërbimeve sekrete, ndërsa rreth 100 spiunë të tjerë rusë punonin nën një mbulesë jo-diplomatike në biznese, grupe kërkimore dhe OJQ në Belgjikë.

Një diplomat i BE-së, shpjegon në kushte anonimiteti, se pse spiunazhi rus në Belgjikë përbënte një kërcënim. “Në misionet ruse në NATO dhe BE, numri i spiunëve që kryejnë operacione agresive të inteligjencës është shumë i madh.

Dhe mos harroni: Në doktrinën ushtarake të Rusisë dhe strategjinë e saj mbi sigurinë kombëtare, Rusia e përcakton NATO-n si armikun e saj kryesor. SVR dhe GRU kryejnë vrasje politike, rekrutojnë informatorë dhe agjentë, dhe janë 100% armiqësore ndaj NATO-s dhe BE-së”- thotë diplomati./GazetaSi

/Burimi:EUObserver/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *