Prokuroria e Dibrës ka reaguar pas akuzuave të kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Dibër, Ismail Uka, se 33-vjeçari Elton Lleshi, punonjës i IKMT-së, po shpërndante lekë për blerje votash.
Sipas prokurorisë, pas denoncimit të Ismail Ukës janë hapur kamerat e sigurisë së një subjekti privat dhe nga pamjet nuk është konstatuar asgjë e paligjshme.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, ku pretendohej se shpërndaheshin lekë, nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm apo provë që të vërtetonte pretendimet e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”.
“Ky shtetas ka qenë në banesën e tij private bashkë me dy shtetase të tjera, S.Z., 37 vjeç dhe E.D., 22 vjeç, me të cilat ka lidhje familjare. Të tre këta shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policise Dibër ku janë marrë në pyetje. Pasi kanë dhënë shpjegimet dhe nuk ka rezultuar asgjë e paligjshme, të tre janë lënë të lirë”, njofton Prokuroria e Dibrës,
Njoftimi i Prokurorisë Dibër:
Më datë 12 Maj 2023, rreth orës 17:00 Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër është njoftuar nga ana policisë lidhur me denoncimin e shtetasit I. U., kandidat për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se në një banesë në “Lagjen e re” në Peshkopi po shpërndahen lekë për blerje votash.
Menjëherë në vendin e pretenduar se kryhej kjo veprimtari, është nisur grupi hetimor i kryesuar nga prokurori i gatshëm. Pasi është marrë kontakt me punonjësit e Policisë së Shtetit, e cila kishte mbërritur në vendngjarje janë nisur veprimet procedurale.
Bazuar në pretendimin e denoncuesit janë kqyrur pamjet e kamerave të sigurisë së një subjekti privat. Nga pamjet nuk është konstatuar asgjë e paligjshme.
Është kryer kontrolli i banesës të shtetasit E.LL., 33 vjeç, ku pretendohej se shpërndaheshin lekë. Ky shtetas ka qenë në banesën e tij private bashkë me dy shtetase të tjera, S.Z., 37 vjeç dhe E.D., 22 vjeç, me të cilat ka lidhje familjare.
Gjatë kontrollit të banesës nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm apo provë që të vërtetonte pretendimet e denoncuesit I.U.
Të tre këta shtetas janë shoqëruar në Komisariatin e Policise Dibër ku janë marrë në pyetje. Pasi kanë dhënë shpjegimet dhe nuk ka rezultuar asgjë e paligjshme, të tre janë lënë të lirë.