“Gleardin e njoha në spital në Gjermani ku punoja si infermiere. Duke qenë se nuk dinte gjuhën më caktuan mua të kujdesesha për të. Kështu nisi njohja jonë. Më pas filluam bashkëjetesën në një banesë pranë banesës së prindërve të mi”. Kështu tregon 28-vjeçarja e cila ka kaluar një javë tmerri me partnerin e saj, për të cilin la Gjermaninë dhe erdhi në Tiranë dhe u mbajt peng dhe u dhunua barbarisht prej tij.
Prindërit e saj kishin ikur në Gjermani prej 30 vitesh ku kanë ngritur jetën e tyre. Në Gjermani ka lindur dhe 28-vjeçarja e cila është shtetase gjermane. Ajo ka treguar se pas njohjes në spital, kishte nisur bashkëjetesën me Gleardin dhe ishin shpërngulur të një banesë pranë prindërve të saj të cilët i kishin ndihmuar. Por që në ditët e para kanë nisur skenat e dhunës.
“Ai u arrestua në Austri dhe pas burgut u kthye në Tiranë. Ne nisëm të komunikonim sërish dhe unë lashë gjithçka dhe erdha në Tiranë. Në momentin që erdhëm këtu u bë obsesiv dhe kontrollonte gjithçka timen. Vendosi të më mbante peng në banesë dhe më ka dhunuar në mënyrë barbare. Më ka goditur me këmbë të karriges, më ka kërcënuar me thikë, më ka shantazhuar se do bënte disa video që ai nën dhunë dhe presion kishte filmuar ndërsa isha në dush. Kam tentuar të hidhem dhe nga kati i pestë. Ai më tha që dua që të vuash, jo të vetëvritesh”, tha vajza.
Vajza është shoqëruar nga daja dhe babai i saj, i cili ishte tejet i terrorizuar dhe ka kërkuar drejtësi. Vajza ishte e traumatizuar dhe dridhej e tëra duke apeluar për drejtësi. Ai e ka prerë me thikë në çdo pjesë e trupit dhe shenjat ishin të dukshmë në pjesët e këmbëve. Ajo tha se plagët fizike do t’i shërohen, por trauma dhe plaga psikologjike jo. Vajza tregoi deklaroi se sapo të ketë mundësi të udhëtojë, do të largohet nga Gjermania, por lutja e saj është për autoritetet shqiptare që të vendosin drejtësi”.
Ndërkohë që goditja e tyre ndaj saj, përveç dhunës ka qenë mohimi që njerëzit e 31-vjeçarit i kanë bërë para bluzave të bardha. “Kushërira e Gleardit më ka ndihmuar të dilja nga shtëpia. Kunata na pa tek ashensori dhe më tha ‘çfarë të ka bërë vëllai im kështu’. Por kur zbritëm tek ambulanca ajo dhe kushërira e tij thanë që nuk e njohim, e gjetëm në rrugë dhe në spital kam ardhur me ambulancë”, ka rrëfyer më tej vajza.