E reja që u dhunua nga partneri për një javë me radhë në një banesë në Tiranë ka rrëfyer ngjarjen në polici.
Ajo është shprehur se partneri i saj Gleard Gusholli, tashmë i arrestuar, e ka dhunuar me këmbë karrigeje si dhe e ka goditur me shqelma dhe grushte. Më tej ajo ka thënë se gjatë ditëve që mbahej peng në banesë ka tentuar të hidhet nga kati i pestë i pallatit.
“Më ka kërcënuar do të hedh në lumë, do marr kushëririn në telefon, nuk do të nxjerr nga shtëpia. Kam tentuar disa herë të hidhesha nga ballkoni se nuk e dora dot më. Më gjuante me grushte e me shkop. Më nxirrte thikën, ma mbante te këmba, më thoshte do ta caj barkun. I lutesha të më hapte derën. Nuk më do mirë, vetëm më hap derën. Donte të hakmerrej se kemi qenë 3 muaj të ndarë. Në Gjermani ka nisur nga dhunë. Prindërit e mi e kanë marrë vesh dhe e kanë nxjerrë nga shtëpia. Kishim 1 vit e gjysmë që njiheshim. Në Gjermani më ka dhunuar, nuk e kemi denoncuar as unë as familja. Prej xhelozisë donte të hakmerrej, më merrte telefonin, nuk kontaktoja dot askënd. Në Gjermani kemi bashkëjetuar 1 muaj e gjysmë dhe prindërit e mi e nxorrën nga shtëpia”, ka thënë e reja.
28-vjeçarja i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale pas dhunës barbare nga partneri i saj. Ai e mbajti të mbyllur për një javë, ndërkohë që në pranga janë vënë edhe tre persona të tjerë që dyshohen se e kanë ndihmuar. Gjatë kontrollit në banesë, hetuesit gjetën edhe mjete që përdoren për konsumimin e kokainës.