Ish-bosi i kompanisë së naftës “ARMO”, Rezart Taçi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK dhe Policia e Shtetit, pas një operacioni financiar ku janë sekuestruar më shumë se 18 milionë euro. Këto para janë bllokuar nga SPAK pasi do të pastroheshin në një bankë të nivelit të dytë në vendin tonë, dhe më pas në shtete të tjera.
Ish-bosin e naftës në Shqipëri akuzohet se së bashku me katër italianë dhe dy bashkëpunëtorë të tij për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. Gjithashtu Gjykata e Posaçme ka caktuar ‘arrest në burg’ për dy të besuarve të Taçit, kunatin Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e tij, Bledar Lilo, për pastrim parash.
Prokuroria Speciale SPAK ka nisur verifikimin e pasurive të biznesmenit Rezart Taçi në Shqipëri. Ky i fundit është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se është i përfshirë në një skemë të madhe të pastrimit të parave, bashkë me shtetas italianë dhe një zviceran.
Tre ditë më parë kunati i tij Artur Balla dhe truproja Bledar Lilo u arrestuan në Tiranë me urdhër të SPAK, vetë Rezart Taçi u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe më shumë se 18 milionë euro u bllokuan në një bankë të nivelit të dytë.
Mësohet se urdhër-arresti ndërkombëtar ka hyrë në fuqi zyrtarisht, pasi karabinierët në Itali kanë nisur kontrollet në disa ambiente në Romë dhe Milano, ku dyshohet se qëndron biznesmeni shqiptar Rezart Taçi. Megjithatë, kontrollet janë mbyllur pa rezultat pasi Taçi nuk është gjetur.
Ky i fundit, vetë ka deklaruar pas arrestimeve të SPAK se po i bëhej padrejtësi dhe do të vinte në Shqipëri që të përballej me drejtësinë. Edhe kreu i Prokurorisë Speciale ka reaguar duke thënë se biznesmeni Rezart Taçi mund të vetëdorëzohet dhe të përballet me drejtësinë, duke “sqaruar të vërtetën e tij”.
Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëheshin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të krimit të Cosa Nostra-s.
Taçi bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në këkrim ende edhe dy italianët e tjerë I.Z. dhe D.C. Sipas SPAK skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit italian Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe iatlianin D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri. Në Shqipëri bashkëpunëtori i tyre ishte Rezart Taçi, i cili së bashku me 2 të besuarit e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, pastronin paratë përmes bizneseve të tyre në Shqipëri në sektorin e naftës.
Dy shqiptarët Artur Balla dhe Bledar Lilo kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri vlera e së cilës përllogaritet dhjetëra miliona euro. Gjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur prova se Rezart Taçi dhe dy njerëzit e tij besuar do të merrnin përqindjen nga transaksionet e parave përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.
SPAK sekuestroi 18,399,941.50 Euro, që janë përfituar pikërisht përmes pastrimit të parave të krimit. Këto para kanë ardhur nga italiani 90-vjeçarin Francesco Zummon gjatë muajit gusht 2021 në Shqipëri ku do të bëhej edhe pastrimi nga Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, por kjo është bërë vetëm pjesërisht, pasi hetimet e SPAK kanë parandaluar që të kryhej pastrimi i plotë i parave në Shqipëri.
Personat e përfshirë në këtë skemë të madhe të pastrimit të parave, shqiptarë dhe italianë, të cilët janë si më poshtë:
- Rezart Taçi – I shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është konfirmuar se ndodhet jashtë Shqipërisë
- Artur Balla – I arrestuar, njeri i besuar dhe familjarë i Rezart Taçit
- Bledar Lilo – I arrestuar, truproja i Rezart Taçit. (Bashkë me Ballën vepronin në emër të Taçit)
- Francesco Zummo – Në arrest shtëpie në Itali, i përfshirë në këtë skemë mashtrimi
- Ignazio Zummo – Djali i biznesmenit 90 vjeçar, gjithashtu i dyshuar si i përfshirë në këtë skemë pastrimi parash
- Fabio Petruzzella – I arrestuar në Itali, kontabilisti që dërgoi 19 milionë eurot në Shqipëri
- Daniele Castagalli – Shtetas italo-zviceran, nën hetim si i përfshirë në këtë skemë pastrimi parash
/Priza.al/