Trupi i pajetë u gjet nga policia në plazhin Ndërnënas të Fierit, ndërsa ditën e sotme uniformat blu kanë bërë edhe identifikimin e viktimës.
Buzhiqi është babai i tre fëmijëve dhe hera e fundit që u pa nga familjarët ishte pranë zonë së quajtur “Ura e Dajlanit” në qytetin bregdetar.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua edhe nga e motra Rajmonda Buzhiqi, e cila e tronditur ngriti dyshimet se i vëllai mund të jetë vrarë.
“Trupi i pajetë i gjetur në Fier fatkeqësisht i përket vëllait tim. E dërguan në Laç, nuk di më shumë sepse jam e tronditur. Duhet të verifikohet mesazhi kërcënues, që i erdhi vëllait tim se që atë ditë ai nuk u kthye më. Jam e sigurt që e kanë vrarë, sepse Arturi gjithnjë ka dalë vetëm dhe është kthyer në shtëpi. Ai personi është shprehur se nëse do ta shihte Arturin do ta bënte për spital, sepse sipas tij i kishte rrahur vëllain. Ai është peshkatar në Durrës dhe Arturi në Durrës ka humbur. Vëllai nuk ka qenë në atë gjendje që të vriste veten”, tha ajo për mediat.
Ndërkohë policia në njoftimin e saj sqaron: “Në vijim të informacionit paraprak të dhënë në datë 13.07.2022, ku në plazhin e fshatit Ndërnënas, Fier, në breg të detit, është gjetur i pajetë, një shtetas rreth 40 vjeç, është bërë i mundur identifikimi i tij, shtetasi A. B., 40 vjeç, banues në Durrës, i cili është shpallur në kërkim në datë 10.07.2022 nga Komisariati i Policisë Durrës për largim nga banesa”.