Ditën e djeshme në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, u gjet i pajetë 25-vjeçari Fridman Xhaferraj, nga Lushnja. Policia konstatoi shenja dhune mbi trupin e viktimës, i cili mendohet se është goditur me mjete të forta.
Por detaje të reja janë zbuluar ditën e sotme, ku burimet policore bëjnë me dije se i ndjeri përveçse i dhunuar, është gjetur edhe me duart e lidhura. Policia ka arritur të identifikojë autorët e vrasjes së të riut, shtetasi Lulëzim Spahija, si dhe një 26-vjeçar me inicialet K. B. Të dy këta persona nga Lushnja janë shpallur në kërkim, pasi dyshohet se janë autorët e vrasjes kriminale të 25-vjeçarit. Xhaferraj ka qënë i shoqëruar me disa persona, ndërsa dyshohet se është vrarë më tepër se një javë më parë. Referuar burimeve po hetohet në dy pista, ku kryesorja është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por që nuk përjashtohet as pista e vrasjes për motive banale.
Në bazë të informacioneve, Xhaferraj njihej si person problematik nga Policia e Fierit dhe e Lushnjes, si përdorues i lëndëve narkotike. Dyshohet si ‘ushtar’ i një prej bandave të Lushnjës dhe sipas informacioneve paraprake, atë e kanë eliminuar rivalët e tij.
25-vjeçari njihet si person mjaft problematik dhe me të shkuar kriminale. Fridman Xhaferraj ka qenë dënuar më parë për veprën penale ‘Shkatërrim i pronës me zjarr kryer në bashkëpunim’, pasi kishte djegur 3 makina në një qendër tregtare në Lushnje. Ndërsa me datën 21 maj, Xhaferraj është liruar nga dhomat e paraburgimit, pasi gjykata e ka lënë në arrest shtëpie.