Detaje të reja kanë dalë nga arrestimi i Sokol Bodes. Ai kishte 4 ditë që ishte kthyer nga Anglia. Në momentin e arrestimi ka kërkuar vetëm 2 minuta kohë që të ndahej me prindërit dhe vëllain me aftësi ndryshe.
Mësohet se Bode është arrestuar në orën 21:25 minuta dhe është gjetur i shtrirë në divanin e sallonit të tij.
Informacioni për mbërritjen e Bodes në Berat ishte siguruar në rrugë operative. Ai qëndronte i fshehur në shtëpinë e tij, në lagjen “Uznovë e Madhe” në Berat.
Në drejtim të banesës së tij janë nisur 2 furgona policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Kanë qenë pikërisht forcat operacionale të DVP Berat ata që kanë hyrë në banesën dykatëshe ku jetonte Bode dhe në ndihmë të tyre kanë qenë edhe efektivë të forcave ‘Shqiponja’.
Kur forcat e policisë kanë hyrë në banesën e Sokol Bodes, e kanë gjetur të shtrirë në divanin e sallonit të tij dhe mësohet se i shumëkërkuari nuk ka bërë rezistencë.
Pas futjes së policisë në banesë, nëna e Bodes ka shpërthyer në lot ndërsa ai e ka qetësuar duke i thënë “Qetësohu se kjo dihet”.
Burimet policore bëjnë me dije se përpara se të hipte në furgonin e policisë, Bode ka kërkuar 2 minuta kohë të ndahej me familjen dhe vëllain e tij me aftësi të kufizuara,që ndodhej në rrugën jashtë banesës. Ai është shoqëruar në ambijentet e DVP Berat, për veprime të tjera proceduriale, ndërkohë që mësohet se do të transferohet drejt Tiranës.
Sokol Bode ishte dënuar me 8 vjet burg, pasi akuzohet nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.
Bode, ish-drejtori i Postës në Dhërmi, ka qenë prej kohësh në vëmendje të publikut dhe medias, pas publikimit të një foto ku shihej përkrah Florian dhe Moisi Habilajt (ky i fundit i arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge).
Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, kanë drejtuar në drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit.