U gjet në gëzhojë në makinën e djegur/ Gjurma e ADN-së mund të zbardhë sulmin ndaj TCH

Një gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur brenda makinës që u përdor në sulmin ndaj Top Channel është prova e vetme deri më tani, me të cilën Policia Shkencore synon të bjerë në gjurmët e autorëve.

Këtë të mërkurë, kanë përfunduar të gjitha akt ekspertizat e kryera në policinë shkencore që ndodhet në Sauk. Top Channel mëson se ka përfunduar ekspertiza ndaj targave të vendosura në automjetin e përdorur nga autorët në sulmin terrorist.

Gazetarja Anila Hoxha mëson se nuk është gjetur asnjë gjurmë në targë, madje ka dyshime se provat në targat e djegura pjesërisht, mund të jenë dëmtuar nga zjarrfikësit, që shuan flakët në “Përroin e Agait”, aty ku u gjet mjeti tip “Range Rover”.

Herët në mëngjes, policia shkencore ka kqyrur kallashnikovët për të kuptuar nëse janë përdorur në krime të tjera dhe rezulton se nuk janë përdorur.

Ndërsa për gëzhojën e gjetur në mjet, do të thirren gjashtë ekspertët që kanë qenë në vendngjarje me dyshimin se mos njëri prej tyre ka prekur gëzhojën pa përdorur doreza. Pas kësaj do të krahasohet me të të dhënat që ka policia shkencore.

Më pas, do t’i dërgohet Europol-it me seli në Lion. Kjo metodë është përdoru dhe në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, raporton gazetarja Hoxha.

Hetimi po kryhet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të Pal Kolës dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve./TCH

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *