Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arrestimi i një 33-vjeçari shqiptar i cili u kap me mbi 40 kilogramë kokainë të pastër 2 ditë më parë.
Mediat italiane raportojën se gjyqtarja hetuese e Gjykatës së Ankonës Sonia Piermartini vërtetoi sot arrestimin e trafikantit të dyshuar ndërkombëtar të zbuluar nga policia e Normës.
33-vjeçari shqiptar është pa precedentë të mëparshëm penalë por, pas tij dyshohet se mund të ketë një organizatë shumë më të madhe dhe më të rrënjosur në Marche. I arrestuari ndodhet në burg në Montacuto që nga e premtja.
Policia e ndaloi atë teksa udhëtonte me një automjet tip Golf Volksëagen, në via Albertini, në zonën Baraccola të Ankonës, ku gjatë kontrollit të makinës gjeti 1 kilogram kokainë. Në një apartament që 33-vjeçari kishte marrë me qira për tre muaj, po në Baraccola, karabinierët gjetën 41 kilogramë të tjera kokainë. Në shtëpi kishte edhe një pistoletë të mbushur, disa fishekë dhe disa qindra euro cash.
Përballë gjyqtarit hetues shqiptari ka zgjedhur të heshtë. I dyshuari për trafik droge vinte herë pas here në Itali, nga Shqipëria, me një vizë turistike tre mujore.
Me profesion tregtar makinash, ai kishte një banesë edhe në Civitanova Marche, ku kishte vendbanimin, por apartamentin e kishte “të pastër”. Shtëpia e Baraccola-s, nga ana tjetër, ishte një lloj magazine ku mbahej droga, një pikë mbështetjeje përpara se të merrte drejtime të tjera. Shqiptari kërkohej nga Guardia di Finanza e Breshias.
Ndërkohë kokaina e pastës do të sillte një fitim prej 10 milionë eurosh. Dyshimi është se 42 kilogramët e gjetur në Ankona janë vetëm një pjesë e vogël e një raundi të madh pluhuri të bardhë mes Italisë dhe Shqipërisë.