Një i ri shqiptar është arrestuar nga policia italiane pasi u kap me një sasi të konsiderueshme droge.
Sipas autoriteteve lokale, atij iu gjetën mbi 40 kilogramë kokainë e pastër me vlerë 2 milionë Euro. Sipas policisë nëse kokaina do të pritej dhe do të dilte në treg, do të sillte fitime deri në 10 milionë Euro.
Makina tip “Golf” me të cilën udhëtonte 30-vjeçari u ndalua në Baraccola, për një kontroll mëngjesin e djeshëm. Karabinierët e Ancona-s i gjetën aty 1 kilogram kokainë të fshehur.
Gjatë kontrollit të makinës fillimisht u gjet një qese me 1 kilogram kokainë, më pas iu kontrollua shtëpia ku iu gjetën 40 kilogramë kokainë dhe një pistoletë me të gjitha municionet e nevojshme.
Sipas mediave vendase, apartamenti përdorej si një laborator dhe magazinë. Aty u gjetën edhe para cash dhe mjetet e tjera të nevojshme për të ndarë sasinë e kokainës.
Mësohet se i riu shqiptar kërkohej nga Guardia di Finanza e Brescia-s. 30-vjeçari u dërgua në burgun Montacuto, ndërsa u sekuestrua droga, arma dhe municionet e tjera që iu gjetën gjatë kontrollit.
Prokurori i Brescias po vijon hetimet për të kuptuar se për kë ishte droga dhe se ku do të shitej.