Gjykata e Posaçme e Apelit do të shpallë më 18 qershor, ora 09:30 vendimin përfundimtar ndaj Arbër Çekajt, Armando Pezakut dhe Donaldo Lushajt, të akuzuar për trafikimin e kokainës kolumbiane në Shqipëri. Në seancën e sotme, të pandehurit kërkuan pafajësi, duke mohuar akuzën e ngritur ndaj tyre.
Prokuroria kishte kërkuar 21 vite burg për Cekajn, por ai u dënua me 14 vite burg nga Gjykata e Posaçme, pasi përfitoi ulje të dënimit me një të tretën, për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Ndërsa për Donaldo Lushaj, administratorin e kompanisë “Arbi Garden”, është dhënë dënimi me 10 vite e 8 muaj burg. Gjithashtu dënim me burg është caktuar për Armando Pezaku, 25 vjec, shoferi i kamionit që transportoi kontenierin me 613 kilogramë kokainë.
Kush është Arbër Cekaj?
Kujtojmë se Çekaj është pronari i magazinës ku u kapën 613 kilogramë kokainë në rrugën tokësore “Maminas-Durrës”. 38-vjeçari pronari i kompanisë me origjinë nga Tropoja dhe banues në Durrës, dyshohet se është një prej organizatorëve të aktivitetit kriminal të trafikimit të kokainës nga Kolumbia deri në Shqipëri. Çekaj ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar që prej datës 1 mars 2018 dhe u arrestua në një banesë në një provincë të Dyseldorfit.
Ndërsa zbulimi i vendndodhjes së tij u arrit gjatë shkëmbimit të informacionit mes oficerëve të Interpolit shqiptar dhe gjerman. Mësohet se Çekaj, gjatë kësaj kohe, ka përdorur edhe mbiemrin Jansen, të bashkëshortes së tij, megjithëse zyrtarisht në dokumente vijonte të kishte gjeneralitetet Arbër Çekaj.
Në përshkrimin e aktivitetit të punës, kompania e Çekajt njoftonte se “Arbri Garden” është një kompani kualifikuar për importimin e bananeve dhe frutave tropikale nga Amerika Latine në Shqiperi.