Këngëtarja kosovare Fjolla Morina është liruar nga paraburgimi. Lajmin e ka konfirmuar për “Express” avokati i saj, Fanol Krasniqi. Ky i fundit ka sqaruar se Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj dhe të njëjtës i është ndërprerë masa e paraburgimit.
“Gjykata me datën 15 shtator 2021 ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për ekstradimin e saj dhe të njëjtës ia ka ndërpre menjëherë paraburgimin”,- tha Krasniqi për “Gazetën Express”.
Fjolla Morinës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Masa e paraburgimit i ishte llogaritur prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021 në Prishtinë.
Këngëtarja ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndonte akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.
Arrestimi i parë i Fjolla Morinës u bë në shtator të vitit të shkuar, në pikën e kalimit kufitar Morinë.
Në atë kohë këngëtares iu gjetën në makinën e saj dy armë zjarri pistoleta, njëra tip “Zoraki” me 23 fishekë dhe një tjetër që më pas doli se ishte çakmak.
/Burimi: Gazeta Express/ Priza.al/