U kapën duke marrë inerte në lumin Shkumbin, arrestohen dy persona në Elbasan

Dy persona kanë rënë në prangat e Policisë në Elbasan për shkak se shfrytëzonin lumin Shkumbin për të marrë inerte.

Gjithashtu Policia ka sekuestruar kamionin që drejtonte administratori, i ngarkuar me inerte dhe ekskavatori. Të ndaluarit do të akuzohen për veprat penale  “Shkatërrimi pronës me mjete të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Njoftimi i policisë:

Elbasan

Finalizohet operacioni policor i koduar “Shkumbini”, në vijim të kontrolleve në të gjithë territorin e qarkut, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Merrnin në mënyrë të kundërligjshme, inerte nga shtrati i lumit Shkumbin, vihen në pranga administratori i një subjekti privat dhe drejtuesi i ekskavatorit.

Sekuestrohen kamioni që drejtonte administratori, i ngarkuar me inerte dhe ekskavatori. Të dy mjetet shërbenin për kryerjen e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Në vijim të kontrolleve të vazhdueshme, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Elbasan finalizuan operacionin policor të koduar “Shkumbini”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-D. B., 48 vjeç, administrator i një subjekti privat (drejtues i kamionit) dhe F. P., 40 vjeç, drejtues i ekskavatorit, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke gërryer shtratin e lumit Shkumbin dhe duke marrë inerte në mënyrë të kundërligjshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan ekskavatori dhe kamioni i ngarkuar me inerte.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Shkatërrimi pronës me mjete të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si: gërryerje të shtratit të lumenjve, ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çfarëdo krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *