Tre persona kanë rënë në prangat e policisë pasi janë kapur në flagrancë duke vaditur një serë kanabisi në Qafë Mali në Pukë.
Forcat blu bëjnë me dije se shtetasi Lavdi Salaj, 45 vjeç, djali dhe nipi i tij, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç, të tre banues në Nikël po shkonin drejt Pukës që të kujdeseshin për lëndën narkotike.
Në momentin e operacionit blutë kanë gjetur 527 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Njoftimi i Policisë
Kapen dhe arrestohen në flagrancë, duke vaditur bimët narkotike, 45-vjeçari, djali dhe nipi i tij, që shkonin nga Nikla në Qafën e Malit, Pukë, për të kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllëzuar.
Sekuestrohen dhe asgjësohen më anë të djegies, qindra bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i kontrolleve intensive të territorit, në çdo skaj të vendit, si dhe bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Laku”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-L. S., 45 vjeç, djali dhe nipi i tij, përkatësisht 16 dhe 17 vjeç, të tre banues në Nikël, Krujë.
Nga veprimet e kryera në kuadër të operacionit të koduar “Laku”, rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin kultivuar, në një zonë të pyllëzuar në vendin e quajtur “Laku i Palucajve”, në territorin e fshatit Qafë-Mali, 527 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të cilat u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një sasi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë, të cilët mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.