Dy shqiptarë, 30 dhe 40-vjeçar janë arrestuar nga autoritetet kroate, pasi u kapën me mbi 11 kg heroinë.
Shqiptarët kanë hyrë nga pika kufitare e Malit të Zi në Kroaci, teksa drogën me vlerë mbi gjysmë milioni euro e kishin fshehur në automjet. Mediat vendase kanë publikuar fotot e tyre, teksa sot dy shqiptarët kanë dalë para gjykatës.
Në pikën kufitare Karasoviç me Malin e Zi, oficerët e policisë me ndihmën e një qeni zbuluan dhe sekuestruan heroinën me vlerë mbi gjysmë milioni euro. Duke përdorur profilizimin, oficerët e policisë kanë veçuar dy persona dhe një automjet në vijën e dytë të kontrollit kufitar. Një qen për zbulimin e drogës nisi kontrollin dhe reagoi pozitivisht ndaj kontrollit paraprak të pjesës së brendshme të mjetit.
Në një pjesë të fshehur të pjesës së brendshme të mjetit janë gjetur 20 pako me peshë totale 11 kg. Sipas ekzaminimit paraprak, është konstatuar se pakot përmbanin drogë heroinë, tha Zoran Tikvica, shef i Departamentit të Policisë Kriminale të Departamentit të Policisë Dubrovnik-Neretva.
“Dje më datë 10 janar rreth orës 11:30 në kontrollin kufitar hyrës ka mbërritur një mjet personal me targa shqiptare i drejtuar nga një 30-vjeçar, ndërsa pasagjeri ishte një 44-vjeçar, të dy shtetas të Shqipërisë”, njoftoi policia.
Shoferi dhe pasagjeri u arrestuan dhe nga hetimi penal u konstatua se ata synonin të transportonin heroinën nga Shqipëria në tregun e Europës Perëndimore.