Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, të Rrethit Gjyqësor Sarandë.
Kjo masë është dhënë pasi ndaj Prokurorit është vendosur një masë sigurie “arrest me burg”, nën akuzën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. KLP sqaron se pezullimi ndaj Hasës, zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim.
Kujtojmë që Prokurori Hasa, akuzohet për korrupsion, pasi dyshohet se në këmbim të parave ka hequr ndjekjen penale të Emiljan Miranit. Hasa u arrestua tre ditë më parë për korrupsion, pasi nga hetimet e SPAK rezulton se ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një kriminel
Njoftimi i KLP:
KLP vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.
/Priza.al/