Negib, Mustafa, Abdul dhe Laili janë katër shtetasit e parë nga Afganistani që punësohen në Shqipëri. Me dëshirën dhe nevojën për t’u integruar 4 qytetarët afganë kanë gjetur punësim në një klinikë dentare në kryeqytet. Negib dhe Mustafa do të punojnë si asistentë, ndërsa Abdul dhe Laili në departamentin e shitjeve. Pavarësisht disa ngërçeve lidhur me legjislacionin, drejtuesi i kësaj klinike shprehet optimist ndërsa u ka dhënë qytetarëve afganë këtë mundësi.
Historitë e tyre janë të ngjashme, me gëzimin dhe trishtimin e shkrirë në një, e po kështu edhe përjetimet, sa individuale aq edhe të përbashkëta. Kanë lot ndërsa rrëfejnë çfarë kanë jetuar, me shpresën për një fillim të ri. Nuk është aspak e lehtë, veçanërisht për njerëzit që kanë lënë atje.
Sfida për t’u bashkuar me familjen
Sfida më e madhe e Negibit është të tërheqë edhe familjen. Ai është larguar nga Afganistani ende pa zbardhur mëngjesi duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët. Më i vogli 8 dhe më i madhi 14 vjeç. Familja e tij është larguar tashmë në fshat, ku përpiqen të jenë më të sigurt, ndërsa përballen me vështirësitë ekononike, që janë bërë të zakonshme me Afganistanin në duart e talebanëve.
Dentist në profesion, Negibi i ka vënë çelësin klinikës dhe është larguar bashkë me xhaxhain e tij, i cili kishte punuar si menaxher i projekteve amerikane në Kabul. “Unë mora një e -mail nga departmenti amerikan i shtetit që më thonin se duhaj të largohesha. Herën e parë provuam më 18 gusht, por nuk arritëm të shkonim deri në aeroport. Tentuam sërish më 25 gusht. Ishte ora 4 e mëngjesit kur u nisëm me një autobus. Gate ishte i mbyllur. Na u desh të presim për thuajse 24 orë. Jashtë, pa ushqim, pa gjumë, pa tualet. Në datën 26, në orën 3 të mëngjesit, gate u hap dhe u lejuam të hyjmë në aeroport”, tregon ai. Ndërsa përpiqet të bashkohet me pjesën tjetër të familjes, nuk e ka aspak të lehtë pasi konstaton se ky do të jetë një proces i vështirë, e ndoshta edhe i gjatë. Të paktën deri tani, nuk ka ende një dritë jeshile.
Kujtime dhe lotë
Në sytë e Mustafait ka vazhdimisht lotë. Të atin ja kanë vrarë talebanët, ndërsa i riu ka mundur të largohet nga vendi së bashku me motrën (e cila kishte punuar për qeverinë amerikane) dhe kunatin. Por atyre nuk ka mundur t’ju bashkohet motra tjetër e cila ka mbetur në Herat, me bashkëshortin dhe fëmijët. “Ajo ishte në pritje të fëmijës së tretë në momentin e largimit. Nuk mundej të udhëtonte. Fatkeqësisht fëmijën e humbi për shkak të stresit që jetoi dhe tashmë ndodhet në një gjendje të rënduar psikologjike”, tregon Mustafai i përlotur.
Një tjetër shpresë
Për Abdul dhe Laili në ajër ka një atmosferë më shumë se pozitive dhe premtuese. Ata presin së shpejti të bëhen prindër dhe djali i tyre do të vijë në jetë në Shqipëri. “Do të jetë shqiptar thotë” Abdul duke qeshur ndërsa Laili vijon: “S’kam parë njerëz më bujarë se shqiptarët”. Me marrjen e Kabulit nga talebanët, asaj i është dashur të lërë studimet për stomatologji në vitin e fundit dhe bashkë me prindërit dhe bashkëshortin e saj janë vendosur në Shqipëri.
Të paqartë nëse e ardhmja e tyre do të jetë në Shqipëri apo diku tjetër, ata tregojnë se tashmë në Afganistan nuk ka më vend për t’u kthyer. Duan të shohin një jetë të re, mundësi të reja dhe punësimi është mënyra më e mirë jo vetëm për të siguruar jetesën, por edhe për të qenë të integruar në shoqëri e për t’u ndjerë pjesë e saj. Ende me disa limite që vijnë prej dokumentacionit që duhet të përmbushin, ekuivalentimit të diplomave apo lejes së qëndrimit, të gjithë janë të bindur se kjo është mënyra e duhur për t’ja nisur nga e para.
Marrë nga Opinion.al