11 shqiptarë janë kthyer me një avion “çarter” vetëm pak ditë pasi kishin kaluar me gomone kanalin e La Manshit nga Franca në Angli, njoftoi Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe.
Sipas “Daily Mail” emigrantët shqiptarë janë kthyer në Tiranë gjatë javës së kaluar.
Po ashtu bëhet me dije se, kur shqiptarët mbërritën nga Franca veriore në Angli në fillim të këtij muaji, ata u dërguan në një ish-bazë ajrore në Manston, Kent, e cila po përdoret për vendosjen e emigrantëve.
Më pas 11 emigrantët u dërguan në aeroportin Stansted, ku u nisën me një avion çarter për në Tiranë.
Sipas medias britanike, ky mund të jetë një moment i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës së emigrantëve që kalojnë Kanalin e La Manshit. Ky zhvillim vjen 7 javë pasi ish-sekretarja e Brendshme Priti Patel nënshkroi një marrëveshje historike me ministrin e Brenshëm Bledi Çuçi, për riatdhesimin e emigrantëve.
Edhe pse ky projekt ende nuk është ratifikuar përfundimisht, besohet se bashkëpunimi me qeverinë tonë luajti një rol në kthimin e 11 shqiptarëve në atdhe.
Ndër të tjera, “Daily Mail” shkruan se, numri i shqiptarëve që mbërritën në Angli përmes Kanalit të La Manshit u rrit në fillim të verës dhe tani ata përbëjnë 60 për qind të emigrantëve që futen nga Franca veriore.
Thuhet se, në total, rreth 37,000 migrantë janë futur me gomone në Britaninë e Madhe që prej fillimit të këtij viti, ndërsa besohet se 10.000 prej tyre janë shqiptarë.
“Para verës, rreth nëntë në dhjetë shqiptarë kërkonin azil edhe pse nuk ka pasur asnjë konflikt për më shumë se 25 vjet në Shqipëri, një aleat i NATO-s që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”, shton më tej “Daily Mail”.