SPAK ka përfunduar hetimet për tragjedinë e Gërdecit dhe ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Pasi qëndroi për gati 60 minuta brenda institucionit, në një deklaratë për mediat, Mediu tha se iu është paraqitur e njëjta akuzë si në vitin 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe asnjë provë të re. Mediu mendon se e gjitha ka një motivacion politik, duke u shprehur se është i pafajshëm.
“Dua t’ju bëj me dije që më është prezantuar i njëjti fashikull, e njëjta akuzë si në 2009, pa shtuar asnjë dokument dhe as provë shtesë, akuzë për shpërdorim detyre, kam kërkuar që të pyetem, nuk jam pyetur asnjëherë. Shpresoj që të merrem në pyetje. Motivi politik është në akuzë, nuk është urdhri i ministrit që ka provuar problemin, çdo letër që kam nxjerrë ka ardhur nga pjesa civile dhe ushtarake. Akuzën nuk e pranoj, jam i pafajshëm, demontimi është çështje sigurie kombëtare, kam si çdo qytetar, të pyetem për aktet e mia, nuk jam pyetur asnjëherë”, tha Mediu.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre nga SPAK në lidhje me tragjedinë e Gërdecit ku nga shpërthimi i punishtes së demontimit të armëve mbetën 26 të vrarë dhe qindra të plagosur. Prokuroria e Posaçme SPAK mbylli hetimet për çështjen delikate të“Gërdecit”. Ai u thirr ditën e sotme në SPAK për t’i komunikuar dy akuzat, për shpërdorim detyre dhe shpërdorim detyre në kuadrin ushtarak.