Homazhe në nder të kineastit Kristaq Dhamo janë duke u mbajtur në Universitetin e Arteve.
Mësohet se të pranishëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dhamos do të jenë familjarë, miq të afërm dhe bashkëpunëtorë të tij.
Artisti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, si dhe mbante titullin ‘Nderi i Kombit’ pasi ka realizuar filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë.
Meritë të madhe Dhamo ka si udhëheqës artistik i Kinostudios për një kohë të gjatë (1973 – 1981) dhe 1984 – 1992, si iniciues dhe drejtues artistik e pedagogjik i studios artistike (1973) dhe i kurseve pasuniversitare (1974 – 1992), Kristaq Dhamo ka dhënë një ndihmesë tejet të veçantë në përgatitjen dhe formimin e artistëve të rinj, që, me kalimin e kohës, u bënë personalitete të mirënjohura në fushën e artit filmik. Ka qenë nismëtar i organizimit të Festivalit të Filmit Shqiptar dhe drejtuesi i tyre që nga i pari (1976) dhe deri më 1991. Paralelisht me këto detyra, ka udhëhequr mbrojtje diplomash për probleme të dramaturgjisë kinematografike, sikurse ka shkruar mjaft artikuj e studime për probleme të kinemasë.