Ndarja nga jeta e ish-deputetit socialist dhe ish-kryeministrit Bashkim Fino, rreth një muaj para zgjedhjeve të 25 prillit, trishtoi të gjithë socialistët.
Megjithatë, socialistët nuk u ndalën dhe vijuan punën për të arritur fitoren e madhe. Bashkim Fino renditej në vendin e katërt në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Fierit.
Por duket se vendi i tij do t’i hap rrugën dhe sigurojë mandatin në parlament Gramoz Ruçit, pasi PS ka marrë 9 mandate në këtë qark. 6 mandate të tjera i ka siguruar aleanca PD-AN, ndërsa 1 mandat ka arritur të marrë LSI.
Pavarësisht ndarjes nga jeta, nga fletët e votimit të hapura deri tani rezulton se 108 persona ia kanë dhënë votën Finos.
Ish deputeti socialist u nda nga jeta në moshën 59 vjeçare pasi nuk ia doli të mposhtte koronavirusin. Ditën e djeshme, kur kryeministri Rama shpalli fitoren e PS në sheshin “Skënderbej”, nuk kurseu fjalët për Bashkim Finon duke thënë se e imagjinon atje lart duke qeshur për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
“Këtu sot mungon edhe dikush që punoi për këtë fitore, miku ynë i shtrenjtë, Bashkim Fino. E imagjinoj duke qeshur atje lart dhe duke duartrokitur bashkë me ne për fitoren tonë të mrekullueshme por u desh të ikte nga kjo botë Bashkimi ynë i dashur që të tërë të bashkoheshin në ngushëllimet për familjet e tij dhe të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë, jo një socialist i patundur”,- tha Rama.
Në të gjithë vendin, PS ka marrë fitoren duke siguruar 74 mandate, e pasuar nga PD-AN me 59 mandate, LSI ka marrë 4 mandate dhe PSD 3 mandate.
Partia Demokratike ka triumfuar në Shkodër, Lezhë, Dibër dhe Kukës, kurse PS në Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat dhe Durrës.
/Priza.al/