Ministria u ndërpret kontratat e punës, mjekët specializantë dalin në protestë: Çështjen do e dërgojmë në Gjykatë!

Ditën e sotme Mjekët specializantë kanë dalë në protestë për të kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërprerjen e kontratave të tyre të punës.  Kujtojmë se gjatë periudhës ku shpërtheu ‘flama’ botërore, mjekët specializantë u rekrutuan në spitalet e vendit, për të dhënë kontributin e tyre në situatën e vështirë. Por, pas uljeve të rasteve ditore dhe numrit të të shtruarve në spitale, me anë të një vendimi, ministria vendosi largimin e tyre nga puna, si në sektorin privat, ashtu edhe në atë publik. Vendimi u fut në fuqi për Qarkun e Tiranës, Elbasanit, Vlorës dhe Shkodrës.

Në një prononcim për mediat, ata kërkuan takim me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe paralajmëruan se nëse çështja nuk merr zgjidhje, atëherë do t’i drejtohen gjykatës. “E gjejmë të paprecedent këtë shkresë, të paligjshme dhe diskriminuese. Ne jemi mjekë specializantë dhe në asnjë kod të punës, rregullore të specializimit ose të kontratës së punës nuk na ndalohet të specializohemi më tej. Kemi një rregullore të specializimit dhe në asnjë pikë të saj nuk ndalohet të punojmë paralelisht. Së dyti, dokumenti ligjor që ndërpret marrëdhëniet e punës është kontrata e punës. Në asnjë pikë të saj nuk thuhet që mjekët nuk duhet të specializohen dhe të ndjekin studimet afatgjata të ciklit të tretë të Universitetit të Mjekësisë. Ne jemi mjekë mbi të gjitha. Përpos pjesës që duhet të studiojmë jemi familjarë dhe kryefamiljarë, pjesa e punës është shumë e rëndësishme. Ka vend për tu parë dhe sigurisht për anuluar kjo shkresë, duhet një takim me përfaqësues të Ministrisë për të rënë dakord dhe bërë më të mirën e mundshme për të gjithë ne”.

Shkresa e ndërprerjes së punës nuk ka ardhur vetëm për studentët që janë në vitin e fundit. “Jemi katër brenda në specializim nga viti i parë në të katërtin dhe shkresa është e njëjtë për të gjithë. Janë nga 200 e ca veta për çdo brez, shkojnë diku 1000 veta por që punë mund të mbeten 800.Na kanë ndaluar dhe në struktura private dhe shtetërore.Nuk kemi asnjë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë përkundrazi ne bëjmë një pagesë 1 milion e 300 mijë lekë në vit për të paguar studimet, nuk marrim asnjë pagë. Vendi i punës nënkupton për të gjithë ne për të bërë këtë specializim”.

Në këto kushte ata deklarojnë se do të kërkojnë zgjidhjen e situatës edhe në rrugë ligjore. “Hapin e parë e nisëm në formë ligjore duke i dërguar një shkresë dhe kërkuar një takim për të diskutuar. Hapi i dytë është se ne do të përshkallëzojmë lëvizjet tona, e nisëm me protestë dhe nëse do të na duhet do të shkojmë deri në proces gjyqësor”.

Shumë prej tyre deklarojnë se do të aplikojnë për tu punësuar jashtë vendit, ndërsa përfaqësues të shoqërisë civile shtojnë se me këtë sjellje në spitalet shqiptare nuk do të ketë më mjekë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *