Nga: Luan Laze
Pas 5 vitesh bashkëjetese ranë dakort të ndaheshin me mirëkuptim. Ngjarjen do e festonin me dasëm të thjeshtë. Ftuan 75 të afërm, miq e të njohur. Shumica erdhën si dasmorë pa e ditur se ishin divorcore. Të vërtetën e dinim unë e vellai i tij. Ajo u vesh nuse ai dhëndër.
Te dy shumë të bukur.
Atmosfera, gëzimi, muzika, kërcimi, urimet e dhuratat i pëlqyen çiftit që festonte ndarjen dhe njohjen njëkohesisht.
Dasma bëri të kundërtën.
Ose bëri atë për të cilën bëhen dasmat: I bashkoi!
Gjatë kërcimin dhëndri i pëshpëriste nuses:
-Gjynah të dalim prej këtu të ndarë. Mos i zhgënjejmë dasmorët!
Ajo qeshte ëmbël dhe aprovonte propozimin.
Atë natë magjike vendosën ta provojnë edhe njëhere jetën me njëri-tjetrin. Tani çifti krenohet se u njohën ditën kur po ndaheshin! Tentativa e parë ja largoi perjetësisht divorcin dhe i shtoi dashurinë.
Kjo ndodhi në një lagje të Durrësit qershorin e vitit 1984. Sot çifti jeton në Itali. Janë prindër me tre fëmijë dhe katër herë gjyshër.
Tre vite pas dasmës së divorcit shkruajta nje komedi. Ja dërgova për lexim e miratim personazheve real. E pëlqyen por nuk ishin dakort të bëhej publike.
Dhëndri thoshte:
-Po të luhet në skenë kam frikë se ndahemi prej vërteti.
Një kopje të komedisë ata e ruajnë edhe sot.
Historinë e dasmës dhe foton gjysëm i dehur atë mbrëmje, e postoj me dëshirën e tyre.