Pedagogët e Universitetit të Tiranës kanë paralajmëruar grevë në datën 15 shtator, pasi kërkojnë rritje pagash.
Lajmi është bërë i ditur nga kreu i sindikatës së universiteteve, Sandër Kovacci i cili ka pohuar se pedagogë e mësues ndihmës do të bojkotojnë nisjen e viti të ri akademik, nëse pagat nuk rriten ashtu siç ndodhi me mësuesit e sistemit parauniversitar.
“Pandjeshmëria e qeverisë për të plotësuar kërkesat minimale të profesoratit të paraqitura nga ne në Kuvendin e Shqipërisë në nëntor 2021 si rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës shkencor e administrativ, rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare, rivlerësimi i orës mësimore të leksionit, zbutja e tatimit prej 23% mbi realizimin e ngarkesës mësimore suplementare apo rivendosja e shtesave mbi pagë për “Dëmshmëri shëndeti në punë”, për laborantët dhe stafin akademik që punojnë në laboratore, në kontakte me “substanca të rrezikshme dhe preparate të tjerë”, do të detyrojë pedagogët dhe punonjësit ndihmës mësimorë të universitete publike të vendit që, në përputhje me të drejtat që u jep Kushtetuta dhe ligji, së bashku me studentët e tyre, të përshkallëzojnë aksionin e tyre sindikalist, deri në bojkotim të fillimit të vitit të ri akademik. Ne i kërkojmë edhe njëherë MAS dhe Këshillit të Ministrave të shqyrtojë menjëherë edhe kërkesat e pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve publike për përmirësimin real të pagave“, shkruhet në deklaratë.