U përzu nga Kosova se pastronte paratë e shërbimeve sekrete ruse/ ‘IuteCredit’ vijon e pa shqetësuar në Shqipëri, me gjithë ankesat nga klientët

Ekonomia shqiptare duket se ka rënë për të dytën herë pas piramidave financiare të vitit 1997, pre e skemave apo institucioneve financiare që abuzojnë me pozitat e tyre dhe me ligjet në kurriz të konsumatorit shqiptar.

Nuk është çudi që në vendin tonë në 10 vitet e fundit janë shtuar ndjeshëm institucionet financiare jo banka të cilat ofrojnë kredi dhe mikro-redi me përqindje shumë të larta, por edhe individë apo subjektet që japin para me fajde apo merren me pastrim parash.

Sektorë të ndryshëm dhe madje nga më të rëndësishmit e ekonomisë tonë, janë bërë edhe më të lakuarit kur bie fjala për infiltrimin e burimeve financiare të dyshimta apo me lidhje nga bota e krimit.

Por ajo që po shqetëson shumë si institucionet e huaja financiare që monitorojnë Shqipërinë, ashtu dhe individët që ndjehen të pasigurt, janë institucionet e mikrofinancave, ku tashmë shumë prej tyre po përmenden brenda dhe jashtë vendit për aktivitet mashtrues, pastrim parash dhe deri për lidhje me mafien apo politikanë rus që investojnë paratë e tyre në rajon.

Ashtu si edhe dje, “Priza.al” do të tregojë sot se si një institucion si “IuteCredit”, i akuzuar nga qeveritë e disa shteteve të Ballkanit për veprimtari të dyshimtë financiare, si dhe e vënë nën hetim, vijon pa u shqetësuar aktivitetin në vendin tonë.

Largimi i “IuteCredit” nga Kosova

Vetëm një vit më parë “IuteCredit” u dëbua dhe iu mbyll aktiviteti si dhe të gjitha pikat, me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës, me arsyetimin se kanë shkelur ligjin dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Pjesë e rrjetit ku ishte palë “IuteCredit” ishte edhe skema “Mogo”, e cila nga hetimet e më vonshme u detyrua që të shkonte drejt likuidimit të aktivitetit.

Mediat kosovare investigative zbuluar vetëm një vit më parë dokumentet e transaksioneve ndërkombëtare, në llogarinë e subjekti juridik “IuteCredit JCS”, me numër të regjistrimit 71358747.

Ky subjekt ishte regjistruar në Kosovë më 13 shkurt 2017, si shoqëri aksionare, me kapital të përgjithshëm 200,000 euro.

Sipas dokumenteve të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, pronar i subjektit ishte subjekti juridik “AS IuteCredit Europe”, i regjistruar në Talinn të Estonisë si shoqëri aksionare.

Sipas statutit të subjektit juridik “IuteCredit Kosovo JSC”, kjo shoqëri do të menaxhohej nga “bordi menaxhues”, i cili përbëhej nga: Allar Niinepuu, kryetar i Bordit të Drejtorëve (Shtetas i Estonisë), Tarmo Sild, anëtar i Bordit të Drejtorëve, po ashtu shtetas i Estonisë, Mari-Liis Sammul, Anëtar i Bordit të Drejtorëve.

Drejtori ekzekutivi i shoqërisë aksionare “IuteCreditKosovo JCS”, ishte Shpend Maxhera.

Por nga sa edhe u konstatua më pas, veprimtaria e këtij institucioni konsiderohej se kishte shkelje ligjore. Si institucion mikrofinanciar, nuk ka pasur të drejtë të kryej veprimtari tjera përveç dhënies së mikro-kredive. Mirëpo, duke shkelur ligjin “Iute”, kishte marrë para me fajde nga 16 persona në Kosovë, të cilët kryesisht punonin nëpër banka të tjera tregtare në këtë shtet.

Këta persona në konflikt interesi i kanë huazuar në formë sekrete para borxh ose fajde “IuteCredit” me kamata që shkonin në 12%.

Vlera e përgjithshme e kësaj fajdeje, kishte shkuar në 600 mijë euro. Ndëkohë “IuteCredit” nga ana tjetër këto para i kishte dhënë kredi për klientët e saj me kamatë jashtë çdo norme logjike, ku interesi kalonte edhe masën mbi 100%.

Një gjë e tillë tashmë është konstatuar edhe në Shqipëri, ku përveç “IuteCredit” edhe të tjera IFJB si “Fondi Besa” apo edhe “NOA Sh.a.”, japin mikro-kredi por edhe kredi të mëdha me norma interesi që shkojnë sa disa fish shuma e vet kredive.

Kjo gjë është e konstatuar edhe nga Banka e Shqipërisë, por kjo e fundit u ka lënë “dorë të lirë” të gjitha IFJB-ve në vend që tashmë janë edhe më të privilegjuara se vet bankat private, në një kohë që BSH-ja është mjaftuar vetëm me hartimin e një rregulloreje të re për normat e interesit të cilën nuk ka ndër mend ta zbatojë.

Kosova, shtet serioz! I hetojë skemat edhe me agjencitë e Inteligjencës

Në Shqipëri çdo biznes apo institucion privat financiar që hapet, mjafton të ketë “letrat të rregull” dhe mund të ushtrojë aktivitete nga më të ndryshmit deri sa situata shkon “gropë” si në vitin 1997 me kompanitë piramidale.

Por Kosova një shtet fare i ri, ka treguar se ka seriozitet dhe shumë disiplinë në zbatueshmërinë e ligjit. Kjo gjë ka ndodhur edhe me fatin e “IuteCredit” aty.

Sapo qeverisë kosovare dhe Bankës Qendrore i erdhën informacionet e para mbi aktivitetin sekret të “IuteCredit”, vendi autorizojë edhe agjencitë e inteligjencës që të hetonin.

Në një raport të siguruar nga mediat të inteligjencës kosovare, konstatohej se: “duke u bazuar në transfertat hyrëse ndërkombëtare në llogaritë e subjektit juridik ‘IuteCreditKosovo JSC’, mund të themi se, ka aktivitet të dyshimtë duke filluar nga bashkëpunimi me platformën ‘MINTOS’, e themeluar nga pronari i ‘Monego’, Aigars Kesenfelds, por që tash drejtohet nga Martins Valters”.

Referuar materialeve të siguruara dhe publikuara më herët nga “Insajderi.com”, transaksionet e siguruara nga “Monego”, me rastin e hapjes në Kosovë, me pronar Aigars Kesenfelds, kanë rezultuar si të dyshimta sipas autoriteteve kosovare të inteligjencës.

“Monego”, kishte huazuar afro 1,000,000.00 euro nga “AVOLE HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia 2”, “NOVO HOLDINGS AS”, me adresë “Antonijas Street 8-4, Riga, Latvia” dhe “ ZS INVEST HOLDINGS AS” me adresa “Gertrudes str.30-27, Riga, Latvia”.

(Presidenti rus, Vladimir Putin dhe oligarku dhe ish-deputeti, Mikhail Slipenchuk)

Transfertat hyrëse ishin realizuar në bazë të kontratave për huazim të lidhura në mes palëve. Si përfaqësues i “Monego SHPK” ishte autorizuar në llogari, Egzon Halili.

Kontratat, përpos nënshkrimeve, nuk kishin ndonjë vulë por as nuk ishin të noterizuara apo të përpiluara nga ndonjë zyre ligjore.

Dy prej kompanive huadhënëse kanë adresën e njëjtë “Antonijas Street 8-4, Riga”. Këtë adresë kishte edhe “AS Fenderson Properties”, me të cilën kanë pasur transaksione.

Njëri nga palët nënshkruese, Maris Keiss, është mik i afërt i pronarit të “Monego” SHPK, Aigars Kesenfelds. Bazuar në këto transaksione, “Monego”, ka pranuar pesë milionë euro. Këto para ishin shfrytëzuar për pagesa të ndryshme, përfshirë kredi për klientët.

“Kosova bën pjesë në territorin e ‘minierës’ nga e cila njerëz të lidhur me regjimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, prej vitesh kanë siguruar miliarda euro nëpërmjet ‘kredive të shpejta’, viktima të të cilave janë kryesisht qytetarë me të ardhura të vogla”,- kanë raportuar mediat kosovare.

Bizneset e katër letonëve, që kishin ideuar dhe nisur këtë formë përfitimi, janë shtrirë edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, do të raportonte në atë kohë “Insajderi.com”.

“Monego” dhe “IuteCredit”, janë pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të caktuara prej tyre në mënyrë të jashtëligjshme. Një dokument që kishin siguruar mediat kosovare tregonte se në një rast në Kosovë, ishte aplikuar normë interesi në masën 1 mijë e 987%.

Veprimtaria e këtyre të dyjave është mbyllur në fundin e vitit të kaluar në Kosovë, por jo edhe e “Mogos”, që akoma lëshon kredi.

Ndërsa përgjigja e Bankën Qendrore të Kosovës për këto kompani ishte se: “nga ekzaminimet që janë bërë në ‘Monego’ dhe ‘IuteCredit’, ka gjetur se kamatat ishin larg më të larta sesa që këto institucione i kishin paraqitur në planin e biznesit, në momentin kur kishin aplikuar për licencë veprimi në Kosovë”.

Vijon….

/Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *