Në spitalin e Fierit janë konfirmuar 10 raste të rënda nga picikimi i merimangës.
Mjeku toksikolog, Lulëzim Banushaj, tha për Balkanweb se pacientët e ardhur në urgjencë janë nga fshatrat, ku banorët merren kryesisht me bujqësi. Cakrani, Mallakastra apo Roskoveci janë “vatrat” e nxehta, por për fat të mirë të lënduarit i kanë shpëtuar vdekjes nga pickimi. Mjeku tha se në këtë periudhë helmi i zvarranikëve dhe insekteve është shumë i përqëndruar.
“Sivjet ka më tepër raste, sidomos me merimangë. Kemi pasur rreth 10 raste me merimangë. Merimanga të ndryshme, por të rënda për arsye të vapës dhe të thatësirës merimangat janë bërë shumë toksike. Duhet thënë dhe sensibilizuar që merimanga është më helmuese se zvarranikët. Vijnë në gjendje shoku toksik, pa puls, pa tension, me dhimbje shumë të forta të gjoksit dhe dhimbje muskulare-skeletike. Kryesisht dhimbje të forta mesi dhe eksternaliteteve inferiore. Në spitalin e Fierit nuk ka pasur humbje jete, por raste të rënda nuk ka pasur. Kryesisht ndodhin gjatë punëve bujqësore, në kopshte personale ose në ara dhe duke mos zbatuar rregullat e sigurimit që edhe i kemi porositur të ruhen. Nga zvarranikët kemi pasur pesë raste, katër nëpërka dhe një gjarpër. Nëpërka është më helmuese se sa gjarpri, por fatmirësisht nuk kemi pasur klinika të rënda. Më të rënda kanë qenë klinikat e merimangës”, tregoi ai.
Mjeku foli edhe për këshillat që duhet të kenë parasysh fermerët.
“Fatmirësisht medikamentet që na duhen dhe që janë në qarkullim brenda vendit tonë për këto probleme i kemi në dispozicion që nga serumi kundër helmit edhe ilaçet e tjera qetësuese, kortizonikë, perfuzione etj. Rasti i fundit që nxora nga spitali, pas 4 ditës, me dhimbje të forta, krizë hipertensioni nga neurotoksina. E kishte pickuar merimanga në këmbë kur kishte veshur çizmet për të shkuar në arë, ishte brenda në çizme, nuk e kishte kontrolluar. Ai erdhi me klinikë, por nuk e dinte që e kishte pickuar, e zbuluam vetë pasi i bëmë një eksplorim të thellë sepse nuk na dilte gjë tjetër. Pastaj në fund u gjet merimanga brenda në çizme. Ka edhe mjekë që nuk e njohin rëndësinë e intoksimit nga merimanga, që mund të marrë dhe jetën. Kanë ndodhur, janë raste që vuajnë dhe nga sëmundje të tjera, shtohet dhe kjo. Prandaj duhet të vlerësohet, merimanga është vdekjeprurëse, ndaj duhen marrë masa, kur punojnë në ambiente, me veglat bujqësore, duhet kujdes i jashtëzakonshëm”, tregoi mjeku toksikolog.
/Priza.al/