Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me ngjarjen në Kurbin, ku një 29-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës së ish-deputetit të PS, Armando Prenga.
Kjo ngjarje dyshohet e ka zanafillën tek një konflikt gjatë numërimit të votave në ZAZ 15 në Kurbin.
Në këtë ZAZ mësohet se ka pasur përplasje mes vëzhguesve, ku ka qenë edhe babai i të riut, Fatbardh Ismaili që qëlloi në drejtim të makinës së ish deputetit Prenga.
“Shtetasi A. P., 49 vjeç, ka njofuar sallën operative të Komisariatit të Policisë Kurbin se në Fushë Kuqe, ndërkohë që qarkullonte me automjet, shtetasi F. I., 29 vjeç, kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të automjetit të tij. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të dëmtuar. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë kontrollet, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e shtetasit F. I., i cili është shpallur në kërkim, bashkë me automjetin tip “Benz” me të cilin është larguar”, sqaroi policia ne njoftimin paraprak.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti.