Zbardhen detajet e sherrit të ndodhur në degën e PD-së në Korçë, ku sekretari i grupseksionit Eduart Topalli qëlloi me shishe në kokë kreun e degës Devis Osmanin. Mësohet se ky incident ka ndodhur për shkak të ndarjeve brenda partisë.
Burime për median bëjnë me dije se pas zgjedhjeve që bëri Berisha në parti, ka pasur krisje mes tyre. Grupi që ndjek Topallin ka ankimuar rezultatin e zgjedhjeve për kryesinë e degës së Korçës, duke kërkuar rivotim. Zgjedhjet u mbajtën në maj të këtij vit dhe në atë kohë pati shumë debate sa i takon zgjedhjeve në Korçë. Madje pati dhe akuza se në momentin që u mbyll votimi u kyçën dyert dhe votat për anëtarët e Kryesisë u numëruan në errësirë të plotë.
Por ende sot nuk ka një vendimmarrje të qartë dhe kjo ka bërë që të ketë konflikte dhe sherre të vazhdueshme në degën e PD në Korçë. Devis Osmani momentalisht mbron kryesinë aktuale duke thënë se rezultati i zgjedhjeve ka qenë korrekt. Por Topalli kërkon rivotim dhe duket se kjo ka bërë që situata të agravojë në dhunë fizike.