U qëllua për vdekje në lokal, flasin të tronditur fqinjët e Mimoza Pajës: Ishte shumë varfër, bënte 3 punë

Një nga fqinjet e Mimoza Pajës, 58-vjeçares që u vra mbrëmjen e djeshme në lokalin e Fatjon Muratit, ku dhe punonte si banakiere, ka treguar bisedën me mbesën e viktimës, që u plagos në të njëjtën ngjarje.

Në një prononcim për mediat, Bardha thotë se 10-vjeçarja i ka shkuar në shtëpi duke qarë dhe i ka treguar se e kishin vrarë. Më pas, gruaja thotë se të miturën e ka marrë ambulanca. Fqinja shton se ndihet e pasigurtë në vendin ku jeton, për shkak të ngjarjeve të shumta kriminale që janë shtuar.

“Jetonte në kushte të vështira ekonomike, i kishte vdekur burri para 2 vitesh. Unë isha brenda, djali po flinte, u çua djali i trembur, ka ndodhur një vrasje. Kur dola jashtë, thanë “kshtu kshu”, u vra Moza, armë me breshëri, kur dola dëgjova këto gjëra. Jemi aq të frikësuar sa kemi frikë të jetojmë të shtëpia, në punë tënde, këtu është bërë jetë e frikshme. Ambulanca erdhi shpejt. Erdhi 10 vjeçarja, më tha mua “o teta Bardha më kanë vrarë”, po qante me të madhe, ishte duke qarë, erdhi ambulanca dhe e mori. Ka disa kohë që po punonte”, tregon fqinja.

Ndërkohë, një tjetër fqinje ka treguar për gazetarët se, viktima bënte 3 punë dhe ishte nënë e katër fëmijëve.

“I ka vdekur burri. Ishte me qira, bënte tre punë. Ishte e sëmurë, ka tre vajza dhe një djalë. Ishte shumë varfër, ka vuajtur shumë. Mbesën që u plagosur e kishte shumë përzemër, ishte vajza e vajzës”, tregon një tjetër fqinje.

Sakaq, në shtëpinë ku Mimoza jetonte me qira janë hapur dyert e mortit. Trupi i saj do të përcillet sot pasdite në banesën e fundit, ndërkohë që ende nuk janë identifikuar autorët e atentatit që vranë 58-vjeçaren dhe plagosën pesë të tjerë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *