Reperi TakeOff, një nga 3 pjestarët e grupit të famshëm “Migos”, ka mbetur i vdekur pas disa të shtënave me armë mëngjesin e sotëm në Houston, Texas. Sipas TMZ, burime pranë forcave të rendit dhe dëshmitarët e ngjarjes, thonë se ai u bë pjesë e një incidenti fatal në orët e para të mëngjesit, teksa policia mori një telefonatë për një person që ishte qëlluar në vendin e quajtur “Billiards & Bowling” Houston.
Bëhet me dije se Takeoff dhe Quavo, pjestari tjetër i grupit “Migos”, ishin duke luajtur një lojë me zare, kur u përfshinë në një debat dhe pasi situata agravoi dikush hapi zjarr ndaj tyre, duke goditur e lënë të vdekur reperin, i cili ndërroi jetë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Pamjet nga vendi i ngjarjes, të siguruara nga TMZ, tregojnë Quavo-n dhe të të tjerët teksa kanë rrethuar Takoff dhe përpiqen ta ndihmojnë, por duke mos mundur të bëjnë asgjë pasi ishte tepër vonë. Policia ka konfirmuar se dy persona të tjerë, po ashtu u qëlluan dhe mbetën të plagosur, duke u çuar në spital. Quavo nuk u dëmtua nga incidenti.
Vetëm pak orë para ngjarjes, TakeOff kishte postuar një foto në Instagram nga vendi ku ishte qëlluar, ndërsa Quavo postoi një video bashkë me Jas Prince duke shkuar tek ky ambient, teksa do të festonin ditëlindjen e këtij të fundit.
Emri i vërtetë i reperit të ndjerë ishte Krishnik Khari Ball, anëtari më i ri i grupit Migos. Quavo ishte xhaxhai i tij, ndërsa i treti Offset, i njohur edhe për lidhjen me Cardi B, kushëriri i tij. Ata e formuan grupin në vitin 2008 në Georgia dhe u bënë shumë të famshëm pas hiti të tyre të parë “Versace” në vitin 2013 dhe në vitin 2016 me “Bad and Boujee”.
Projekti i fundit i artistit të ndjerë ishte i sapo publikuar, bashkë me xhaxhain e tij Quavo dhe titullohet “Messy”.