U referua si aksident/ Policia zbulon ngjarjen e rëndë, 63-vjeçari u përplas për vdekje nga i riu

Policia e Beratit ka zbardhur një ngjarje të rëndë të ndodhur në 29 qeshor, ku një 63-vjeçar është përplasur për vdekje nga një 27-vjeçar. Viktima ishte duke lëvizur me biçikletë, ku më pas është aksidentuar nga i riu, i cili lëvizte më një mjet pa targa dhe më pas aksidentit është larguar nga vendngjarja.

Ngjarja në fillim u referua si aksident, por falë hetimit të policisë së Beratit, u zbardh dhe u dokumentuan si aksident me pasojë vdekjen. I riu u arrestua, ku akuzohet pët veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Njoftimi i policisë:

Dimal/U referua fillimisht si ngjarje aksidentale, pas hetimeve të thelluara të Policisë, në bashkëpunim me AMP, zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 29.06.2022, ku mbeti i lënduar rëndë një 63-vjeçar, i cili më pas humbi jetën në spital.

Identifikohet dhe vihet në pranga shtetasi që aksidentoi me motomjet 63-vjeçarin dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Strukturat hetimore të Stacionit të Policisë Dimal, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, nisur nga dyshimet e krijuara për ngjarjen e ndodhur më datë 29.06.2022, në aksin rrugor “Samatic – Drenovicë”, ku mbeti i dëmtuar rëndë shtetasi K. H., 63 vjeç, i cili më pas, si pasojë e dëmtimeve të marra, humbi jetën në spital, thelluan hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Më datë 29.06.2022, u gjet në rrugë, i rrëzuar nga biçikleta, shtetasi K. H. Në bazë të dyshimeve të krijuara se 63-vjeçari nuk ishte rrëzuar aksidentalisht nga biçikleta, siç u raportua fillimisht, por ishte goditur nga një mjet tjetër, gjithashtu bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, falë bashkëpunimit me AMP, u referuan materialet në Prokurori, si dhe u bë regjistrimi i procedimit penal, për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Në përfundim të veprimeve hetimore është bërë i mundur  zbardhja dhe dokumentimi i plotë me prova ligjore i kësaj ngjarjeje, si dhe ndalimi i shtetasit E. D., 27 vjeç, banues në fshatin Drenovic, Dimal, për veprat penale të lartpërmendura. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se më datë 29.06.2022, në aksin rrugor “Samatic-Drenovicë”, rreth orës 20:00, shtetasi E. D., duke drejtuar një motomjet, pa targa, ka goditur shtetasin K. H., i cili ka qënë duke drejtuar biçikletën dhe është larguar nga vendngjarja. Si pasojë e goditjes me motomjet, 63-vjeçari është rrëzuar nga biçikleta dhe ka marrë dëmtime të rënda në kokë, si pasojë e të cilave humbi jetën në spital, në datën 30.06.2022.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *