U rrit jetime me nënën gjallë/ Ja si duket sot ikona e festivaleve në vitet ‘90

Ema Qazimi njihet si kaçurelsja më e bukur e festivaleve të asaj kohe. Por edhe ndër të paktat këngëtare që solli një stil të ri me veshjet e saj. Edhe sot Ema ruan të njëjtën freski sa që duket sikur koha për të ka mbetur në vend.

Ajo ka vite që e ka lënë skenën por këngët e saj dëgjohen edhe sot e kësaj dite nga brezat.
Këngët e Emës dhe i gjithë repertori i saj artistik janë një pasuri e madhe e artit shqiptar muzikor dhe kjo krijimtari është e tëra e regjistruar dhe e filmuar që sot ruhet në arkivin e Radio Televizionit Shqiptar.

Është pjesëmarrëse në rreth 4.000 shfaqje artistike, përmes Festivaleve dhe Koncerteve Recitale artistike, Dekadave të Majit, Anketave muzikore etj., duke shkelur pothuajse me artin e saj të gjitha cepat e Shqipërisë.

Ema Qazimi është rritur në jetimore. I jetonte nëna, pa mundur t’i merrte dhe jepte dashuri. Deri në klasën e pestë jetoi në Shtëpinë e Fëmijës, sepse një urdhër i dalë nga qeveria e asaj kohe, vendosi që aty duhej të strehoheshin vetëm fëmijët që u mungonin të dy prindërit. Por, i ati Emës, e kishte të pamundur të plotësonte detyrimet e asaj tufe fëmijësh edhe pse nuk i mungonte kujdesi dhe dhembshuria.
“Një pjesë të fëmijërisë, 4 vjet i kam kaluar në Shtëpinë e Fëmijëve 8 Nëntori, sot “Zyber Hallulli”. Kam bërë 4 vjetët e shkollës fillore aty, duke qenë se familja ime kishte probleme sociale dhe ekonomike. Në jetimore unë kam qenë bashkë me 3 motrat e mia. Kam një nostalgji për atë kohë, për atë jetë. Ndjej emocione kur e kujtoj, aq emocione, saqë nuk i kam ndjerë as në skenë”, është shprehur vetë artistja.

Në vitin 1972, kreu Shkollën e Mesme Artisitke “Jordan Misja” në Tiranë, në degën Teori muzike.

Një sukses i padiskutueshëm për Ema Qazimin ishte Festivali i 21-të, ku këndon këngët “Kur çelin bozhuret”, nje hit i vërtetë, një baladë rrëqethëse e shkruar nga Limos Dizdari dhe tekst të Gaqo Apostolit, si dhe këngën “Dashuria jonë”, me muzikë të Flamur Shehut dhe tekst të Zh. Jorganxhi, – e para dubluar nga Myfarete Laze dhe e dyta nga Lindita Theodhori. Dolën të dyja në finale po kënga e dytë, u vlerësua me çmim të dytë.

Me një karrierë të pasur muzikore mbi dyzet vjet në skenë, filloi të këndojë që në moshë të re në fundvitet 60-të dhe ekzaktësisht në vitin 1968, në skenën e Estradës së Shtetit dhe më pas duke u ngjitur në skenën e madhe të aktivitetit më të rëndësishëm kulturor të vitit në atë kohë, Festivali Kombëtar i Këngës së Lehtë Shqiptare në Radio, më vonë në Radiotelevizion. Ema Qazimi në atë kohë ishte një vajzë 14-të vjeçare, kur kompozitori i mirënjohur Avni Mula do t’i besonte këngën e tij: “Letër Nënës”

Që nga ajo kohë, artistja e vogël në moshë por e madhe në zë, në shpirt dhe në talent, do të udhëtonte pa u ndalur për dyzet vjet me radhë në udhën e bukur e të gjatë të këngës dhe duke u nderuar në vitin 2010 me titullin ”Mjeshtre e madhe e Punës”.

Ema është vlersuar me disa çmime:

  • “Çmimi i madh i Deakdës së Majit” – Tiranë, 1969.
  • “Artiste e Merituar” – Tiranë, 1984.
  • Kupa e Festivalit të “Kënga Mesdhetare” – Trani, Itali, 1992.
  • Çmimi i madh “Mikrofoni i Artë” në Festivalin “Kosovarja këndon” – Ferizaj, Kosovë, 1999.
  • Mjeshtër i Madh” – Tiranë, 2010.

Pjesëmarrëse si aktore:

  • “Diell me kastër”, rol kryesor, Teatri Popullor
  • “Vërshime Pranverore” rol kryesor, Teatri Popullor
  • “Përmbytja e madhe” rol episodik, Teatri Popullor
  • “Kapedani”, rol episodik, Film i Kinostudios “Shqipëria e Re”
  • Turne me trupën e Teatrit Popullor në Kosovë

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *