Kreu i Partisë Demokratike, në një dalje për mediat u përqëndrua sërish në skandalin e arrestimit të ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal. Ai u shpreh se shpallja e tij “non grata” ose sanksionimi siç e quan ai, erdhi pasi nuk do të pranonte kurrë bashkëqeverisjen e PD me PS. Berisha shtoi se kryeministri Edi Rama do të përfundojë njësoj si ish-zyrtari i FBI për krim kundër vendit të tij.
“Është një dosje e tërë në të cilën lakohet emri i Edi Ramës 14 herë dhe personat A dhe B po kaq herë. Këto më detyruan të denoncoj partnerin e vet për veprimtari të dyshimtë. Ajo dispononte siç tha edhe fotografitë e shumta të Edi Ramës me McGonigal të bëra në kryeministri, të bëra në dreka dhe darka, në Shqipëri por edhe në restorantet më të kushtueshme të New York. Në këtë skenar me 2 akte, akti shqiptar është në disa aspekte tmerrësisht i rëndë sepse Edi Rama arriti të angazhojë fuqinë e FBI për shkatërrimin e opozitës shqiptare.” – tha kreu i Partisë Demokratike.
Ai e cilësoi ‘faqen më të zezë’ të dosjes McGonigal, skenarin për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmin në vend. Sipas tij ky skenar u zhvillua me tre etapa.
“E para në zyrat e McGonigal kundër Nick Muzin, e cila u kurorëzua me ndjekje penale të Lulzim Bashës dhe mbylljen e asaj dosje nga Edi Rama.
Etapa e dytë ishte sanksionimi i Berishës për arsyen se s’do pranonte kurrë që PD të bashkëqeveriste me Edi Ramën. Yuri Kim luajti rolin duke shkelur çdo parim, çdo ligj e kushtetutë, luajti publikisht rolin e McGonigal për shkatërrimin e opozitës shqiptare dhe këtë e panë të gjithë shqiptarët.
Etapa e tretë, Edi Rama në mënyrën më kriminale nuk ndalon në veprën e tij makabre për të qeverisur pa opozitë. Do të përjashtojë nga zgjedhjet e 14 majit PD, por jo dëshirë e tij merr fund, kjo ëndërr e tij bëhet pluhur. Aty ku përfundoi McGonigal, do të përfundojë dhe Rama si bashkëpunëtor në një krim të shëmtuar kundër vendit të tij”, tha Berisha.