Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi është takuar me ambasadoren e Delegacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann dhe ambasadorët e të gjithë vendeve të tjera të unionit.
Gjatë takimit Çuçi tha se lufta që ka drejtësia është ndaj krimit të organizuar, ku ka kërkuar mbështetje për sulmin sibernetik ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit.
Çuçi theksoi se Shqipëria ka një kontribut të rëndësishëm në lidhje me sfidat ndaj trafikut të drogës dhe pastrimin e parave.
“Falënderoj ambasadoren e Delagacionit të BE në Tiranë, Christiane Hohmann për ftesën për të marrë pjesë në një bisedë të hapur me ambasadorët e vendeve anëtare të unionit, mbi rezultatet dhe sfidat në fushën e punëve të brendshme teksa rrugëtimi ynë drejt aderimit të plotë ka marrë një ritëm të ri. Pata mundësinë të diskutoja me ta për çështje që lidhen me Kapitullin 24 në procesin e negociatave me BE-në dhe ndava vizionin tonë për reformimin e Policisë Kriminale, si “kali ynë i betejës” në luftën kundër krimit të organizuar. Shpreha gjithashtu shqetësimin për sulmin kibernetik dhe kërkova mbështetje nga vendet e BE-së për forcimin e sigurisë së sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit. Shqipëria jep një kontribut të qenësishëm në sigurinë e unionit kur vjen puna tek adresimi i sfidave të përbashkëta si flukset migratore të paligjshme; lufta kundër trafikut të drogës; kontrabandimi, trafiku i qenieve njerëzore; pastrimi i parave dhe çdo formë tjetër krimi transnacional”, tha ai.