Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është takuar këtë të mërkurë me delegacionin e Norvegjisë.
Veliaj tha se kryeqytetit i nevojitet një ambasadë e Norvegjisë, ku theksoi se ka ardhur koha që Shqipëria të ketë përfaqësim diplomatik nga ky vend.
“Ne duhet të kemi një ambasadë të Norvegjisë në Tiranë dhe ka ardhur koha ta konsiderojmë këtë vendim. Kushdo që është i rëndësishëm në rajonin tonë, është në Tiranë, prandaj nëse doni të jeni të rëndësishëm, siç është Norvegjia e rëndësishme në Shqipëri, me shumë investime strategjike në rrjetin tonë energjetik, besoj se edhe nga ana politike ka ardhur koha të kemi një përfaqësi diplomatike të Norvegjisë në Tiranë. Unë do loboj, por me shpresë loboni edhe ju sepse besoj se mund ta bindim qeverinë në Oslo, që të kemi një mision përfaqësues edhe për faktin se kemi një urë fantastike bashkëpunimi të diasporës shqiptare. Për sa kohë që shoqëria jonë është kaq fort e lidhur, është vetëm çështje kohe që edhe diplomacia dhe politika ta noterizojnë këtë lidhje”, tha ai.