Kryeministri Edi Rama ndodhet në Holandë për një vizitë zyrtare, ku dhe është takuar me homologun e tij holandez Mark Rutte.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka ndarë një video ku bën me dije se Shqipëria bashkë me Holandën po përgatisin një propozim se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale evropiane. Rama shprehet se “kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re evropiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian”.
Sakaq shton është duke punuar me kryeministrin Rutte për të nxitur një debat konstruktiv dhe produktiv për Evropën.
“Vizita në Hagë ka pasur një lajm të jashtëzakonshëm për moralin dhe perspektivën e Shqipërisë. Shqipëria bashkë me Holandën do të përgatisin një propozim të tyren për se si duhet të artikulohet në terrenin e jetës reale evropiane, ideja e Presidentit të Francës për Komunitetin e Ri Politik Evropian. Kjo është një ide e re për të gjeneruar një energji dhe fuqi të re evropiane, pa e zëvendësuar dhe as anashkaluar procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ndërsa ideja e propozimit shqiptaro-holandez mori jetë pikërisht gjatë vizitës në Hagë, ku duke vlerësuar lart punën dhe arritjet e Shqipërisë, po edhe duke çmuar kontributin tonë kritik në tryezën e Këshillit Evropian, kryeministri Mark Rutte më kërkoi të hidhnim në letër, bashkërisht, si dy vende mike, njëri në rrënjët e BE-së, tjetri ende jo në BE, një këndvështrim të përbashkët për sesi duhet të jetësohet ideja e komunitetit të ri politik evropian.
Ky është një moment i paimagjinueshëm deri pak vite më parë i Shqipërisë në arenën politike ndërkombëtare dhe më gjerë si edhe një shprehje prekëse për Shqipërinë e për shqiptarët. Do të punojmë me kryeministrin Rutte dhe skuadrat tona për të nxitur një debat konstruktiv e produktiv për Evropën e të gjithë evropianët, në Samitin e Madh për këtë temë, në Pragë tetorin e ardhshëm, ku do të paraqesim edhe propozimin tonë”, shprehet ai.