Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është takuar këtë të enjte me legjendat e basketbollit të Realit të Madridit dhe ambasadorin e Spanjës, Alvaro Renedo Zalba.
Përmes një video-live në ‘Facebook’, Veliaj njoftoi se Tirana ka hyrë në Javën e Kulturës Spanjolle, ku për rrjedhojë do zhvillohen një sërë aktivitetesh.
“Kemi lidhje speciale me Spanjën, ndaj dhe jemi sot këtu për të promovuar javën e Kulturës Spanjolle. Duam ta shfrytëzojmë për sa më shumë aktivitete. Sot Tirana ka lidhje direkt me Madridin, Spanjën dhe duam ta çojmë para punën tonë. Unë e di që kemi kaluar kohë të vështira, por jeta vazhdon ndaj dhe marrëdhëniet me njerëzit janë të rëndësishme. Ditë më të mira do vijnë”, tha ndër të tjera ai.