Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është takuar këtë të martë me Raportuesen për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Isabel Santos.
Nëpërmjet një video-live, Veliaj tha se këto ekipe europarlamëntarë promovojnë dita ditë hyrjen e Shqipërisë në BE.
“Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme të prisja raporteren Isabel Santos dhe kolegët e saj europarlamentarë në Tiranë. Tirana është tashmë, jo vetëm epiqendër e të gjitha aktiviteteve të rinisë si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, por edhe i një injeksioni të përditshëm të asaj që është shpirti ynë europian. Më vjen mirë që shoh miq të rinj dhe të vjetër që promovojnë hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Jemi të gjithë shpresëplotë! Detyra jonë është të kryejmë të gjitha rekomandimet dhe të ndërtojmë një copë Europe këtu, në vendin tonë. Sigurisht, jo çdo gjë varet nga ne. Shumë gjëra varen nga dinamika të ndryshme në vende të caktuara, se si i shikojnë marrëdhëniet me rajonin, se çfarë problemesh mund të kenë fqinjët tanë me disa fqinjë të tjerë të tyre. Por, unë besoj që ne, si drejtues të bashkive, duhet të krijojmë hapësira europiane në qytetet tona”, tha ndër të tjera ai.