Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, është i vendosur për të reformuar sistemin arsimor të formimit policor në Akademinë e Sigurisë, duke sjellë në vëmendje aplikimin e modeleve dhe vizioneve europerëndimore.
Në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, zhvilloi një takim me Delegacionin e Lartë të Policisë së shtetit të Italisë, të kryesuar nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit të Italisë, Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, Prefekti Vittorio Rizzi.
Gjatë takimit të zhvilluar me Delegacionin e Lartë italian, gjatë ditës së djeshme, Nano vuri në dukje rëndësinë e këtij takimi, në kuadër të reformimit të procesit arsimor dhe të kualifikimit të punonjësve të Policisë së Shtetit, në mënyrë që standardet e policimit në vendin tonë të jenë në nivel të njëjtë me ato të vendeve të BE-së. Njëherazi, Drejtor Nano falënderoi palën italiane, për gjithë bashkëpunimin e ofruar Policisë së Shtetit dhe për gatishmërinë për të konkretizuar në mënyrë të menjëhershme, iniciativat e ndërmarra në kuadër të Tryezës Teknike të zhvilluar ndërmjet drejtuesve të lartë të policive të të dy vendeve. Nano siguroi prefektin Rizzi se mbetemi të hapur për rritjen e bashkëpunimit në kuadrin e shkollimit dhe të trajnimeve me institucionet homologe arsimore policore të vendeve të Europës perëndimore dhe të atyre të Italisë në veçanti.
Prefekti Vittorio Rizzi, duke falënderuar Policinë e Shtetit të Shqipërisë dhe Drejtorin e Përgjithshëm, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e hapur dhe konkret, të ofruar, shprehu gatishmërinë e Policisë italiane për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në drejtim të formimit policor dhe jo vetëm. Gjatë takimit, Drejtoresha e Institutit të Lartë të Policisë, Drejtuese e Përgjithshme Annamaria Di Paolo, Drejtoresha e Inspektoratit të Shkollës së Policisë së Shtetit të Italisë Tiziana Terribile, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Albert Dervishaj, Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Ilirjan Mandro dhe drejtues të tjerë të lartë të strukturave policore, diskutuan për fushat dhe drejtimet e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet palëve, në interes të krijimit të një sistemi formimi sa më efikas të Policisë së Shtetit dhe të formimit sa më profesional të punonjësve të Policisë.
Kjo vizitë u zhvillua në vijim të diskutimeve të Tryezës së Dytë të Përbashkët Teknike mes drejtuesve të lartë të policive të të dy vendeve, të zhvilluar më datë 07.04.2022, në fokus të së cilës ishte bashkëpunimi në kuadër të formimit policor dhe trajnimeve.