Ditën e sotme Komisioni i Rithemelimi ka sqaruar listën e votuesve në zgjedhjet për kryetar të degëve të PD-së në rrethe.
Ervin Minarolli bën me dije se listat zgjedhore të vëna në dispozicion të Komisioneve zgjedhore të degëve, janë listat e vitit 2019, këto të gjendura në bazën e të dhënave të PD.
Sakaq, ai fton të gjithë ata persona të cilët pretendojnë të kundërtën që të sjellin përfaqësuesit për të verifikuar listat origjinale.
Njoftimi i plotë:
PD: SQARIM PËR LISTAT E VOTUESVE NË ZGJEDHJET PËR KRYETAR TË DEGËVE TË PD
Lidhur me disa pretendime për listat e votuesve në zgjedhjet për kryetar në disa degë të PD, sqaroj si më poshtë: Listat zgjedhore të vëna në dispozicion të Komisioneve zgjedhore të degëve, janë listat e vitit 2019, të gjendura në bazën e të dhënave të PD.
Kësaj liste i janë shtuar edhe pjesëmarrësit në referendumin e datës 18 dhjetor 2021 në të cilin votuan të gjithë anëtarët ndër vite që dispononin kartat e anëtarësimit të Partisë Demokratike. Ftohen të gjithë ata që pretendojnë të kundërtën të sjellin përfaqësuesit për verifikimin e listave origjinale në zyrën e organizimit të Partisë Demokratike dhe auditimin e procesit të votimit në degë. Komisioni i Organizimit dhe i Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike do të garantojë transparencën e plotë të procesit zgjedhor.