Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi i ndodhur gjatë natës së kaluar në fshatin Gurrë e Vogël të Bashkisë së Klosit, ku 48-vjeçari Ylber Elezi u godit për vdekje nga bashkëshortja dhe vajza e tij.
Në lidhje me vrasjen e rëndë të ndodhur në Klos mbrëmjen e djeshme, ka folur për mediat edhe kryetari i fshatit Gurrë e Vogël në Burrel Ibrahim Elezi, i cili ka dhënë më shumë detaje për familjen.
Ai thotë se Ylberi ka qenë përdorues i rregullt i alkoolit, ndërsa gruaja e tij me probleme të shëndetit mendor. Për vajzën kryeplaku thotë se vajza kishte pak kohë që kishte shfaqur shenja të depresionit.
“Realisht nuk e dimë si ka ndodhur ngjarja, por dëgjuam një zhurmë dhe dolëm jashtë, ku pamë që dera ishte e mbyllur. Nuk dishim si të hynim, kështu që njoftuam policinë, që erdhi në 22:30. Viktima ishte përdorues alkooli në masë, bashkëshortja ishte me probleme mendore, ndërsa vajza prej ditësh ishte në depresion. Energjinë elektrike ua patëm lidhur para pak ditësh, por e shkatërruan se me të meta mendore. Ata nuk kuroheshin me ilaçe. Ylberi ishte goditur me sende të forta në kokë, me dru ose me tullë [por mbetet të konfirmohet nga ekspertiza red.]”, deklaron fqinji i viktimës.
Sa i takon vajzës, ai thotë se e reja kishte pak kohë që kishte shfaqur shenja të depresionit, por për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, asnjëri prej tyre nuk ka marrë mjekim, dhe e vetmja e ardhur ka qenë ndihma ekonomike prej 60 mijë lekësh të vjetra.
Por si nisi gjithçka mbrëmjen e djeshme?
Fillimisht viktima ka pasur konflikt me bashkëshorten dhe vajzën e tij, të cilat përveç problemeve që kishin me depresionin, përballeshin me dhunën e ushtruar nga kryefamiljari, derisa mbrëmë vendosën që ta qëllonin me sëpatë, duke e lënë të vdekur në vend. Kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar të bërtiturat që vinin nga banesa dhe kanë njoftuar menjëherë Policinë. Me të mbërritur në banesë, Policia ka trokitur në derë, e cila është hapur nga e zonja e shtëpisë. Me justifikimin se Ylberi po flinte, ajo nuk ka dashur që t’i linte që të hynin në banesë por nuk ia ka dalë. Punonjësit e Policisë kanë hyrë nga dritarja duke gjetur dhe viktimën. Nëna dhe vajza e saj 20-vjeçare janë shoqëruar për në komisariat, ku do të merren në pyetje për të mësuar gjithë çfarë ka ndodhur.
Ndërkohë që fqinjët nga ana tjetër, kanë dëshmuar për gjendjen e vështirë ekonomike e familjes, e cila prej disa ditësh nuk kishte as energji elektrike, për shkak të pamundësisë për të paguar faturat. Sipas dëshmive të fqinjëve, të ardhurat e vetme i kishin nga ndihma ekonomike. Kjo familje kishte dhe një vajzë tjetër, e cila nuk ndodhej në banesë në momentin e krimit, pasi jeton në Tiranë.
/Priza.al/