Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me krimin që tronditi Prizrenin, ku i vrarë mbeti Visart Cengu nga Kukësi. Për këtë ngjarje autor i dyshuar është Dibran Hoxhaj, i cili tashmë është arrestuar nga policia.
Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, ndërsa i afërmi i tyre ka treguar si ka ndodhur krimi i rëndë.
Në deklaratën e tij, familjari thotë se “Kobra” i ka qëlluar pabesisht, ndërsa thekson se vrasja ndodhi për një birrë. Më tej ai shton se debati agravoi duke shkuar te përplasja fizike dhe në fund “Kobra” i ndoqi deri te parkingu dhe i qëlloi në makinë.
“Janë zënë për një faturë 100 Euro. Këta (tre djemtë) thoshin janë shumë. Këtu ka nisur sherri. Janë rrahur dhe ai “Kobra” doli pabesisht dhe i qëlloi. Ata nuk kanë qëndruar në lokalin “Kobra” për darkë por, pasi janë kthyer nga darka në një tjetër lokal kanë kaluar aty dhe kanë ndaluar për të pirë një birrë.
E pimë, s’e pimë ndonjë birrë, kot këmbëngulën. Qëndruan vetëm 5 minuta. Janë ngatërruar për faturën në fund. Janë zënë brenda dhe dolën për të ikur. Më pas ai (Kobra) i qëlloi pabesisht në momentin që po iknin.
Përplasja ishte me personelin më pas “Kobra” i qëlloi te parkingu kur po iknin. Mbyllën dyert e makinës dhe tentuan të iknin, ai i ndoqi dhe i qëlloi. Nuk kanë pasur asnjë konflikt tjetër” tha për “5pyetjet.al” familjari i dy personave që arritën që të shpëtonin.