Sapo përmendet fjala “shtatzëni” në podcastin “Mam”, Sonila Meço vendos instinktivisht dorën në bark. Nuk ishte një planifikim i kahershëm i rrëfen ajo Orinda Hutës, por një thirrje e brendshme që e ndiente prej disa muajsh. Një mëngjes, thjesht u zgjua dhe donte një fëmijë. “Unë e ndieja. Në fakt ishte disa muaj që kishte ardhur një thirrje e brendshme. Tani shiko, në të 30-at unë jam e bindur që për çdo vajzë, sado të jetë e përfshirë me karrierën, vjen një thirrje e brendshme. Mua më erdhi, por më erdhi gati e menjëhershme, më zgjoi nga gjumi, dje ishte kam vënë kam vënë këtë përpara, të vë ca gjëra përpara, të vë dhe këtë dhe mandej, u zgjova në mëngjes: dua fëmijë!”, tha ajo.
Pas shumë tentativash, një planifikimi që gjithçka të realizohej në muajt e verës, një mëngjes fund janari, pikërisht në ditën e ciklit menstrual, Sonila bën një test të rastësishëm shtatzënie. Nuk kishte asnjë shenjë, por një vijë e zbehtë e çoi në eufori.
Menjëherë ia tha së ëmës që e këshilloi të priste, më pas njoftoi Drinin që shtangu i tëri. Mendoi të priste edhe dy ditë për ta vërtetuar, por ndjesia ishte më e fortë se gjithçka.
Sonila Meço: Të nesërmen marr testin. Prapë i zbehtë. Bëja 4 teste në ditë.
-Po nuk bëre analizë?
Sonila Meço: Nuk e bëja analizën, e kisha bindje derisa unë të bindem që është. Pasi kaluar 3 ditë që cikli nuk erdhi, normalisht duhet të merrja doktorin në telefon. I them Drinit, Drini unë e kam bindje, ndërkohë në 2 ditë nuk m’u zhduk ajo vija. I thashë Drinit do të pres edhe dy ditë të tjera, do e bëj. Prita 2 ditët, thashë nuk e bëj, do të marr direkt dr. Halim Kosova që e kishim edhe mik familjeje. Marr Halimin, i them dr. Halimi, unë mendoj që jam shtatzënë. Dr. Halimi më tha nga telefoni “hajde të takohemi, hajde me gjithë Drinin”. Ulemi të dy përballë, më sheh në sy, “urime Sonila”, i them nuk do të hyj të bëj analizat? “Jo ti analizat do t’i bësh, por e kam edhe unë bindjen që ti je shtatzënë”. E ndieja!
Gëzimi u zbeh disi në javën e katërt kur për shkak të ngarkesës, dehidratimit e gjithçkaje, Sonila humbi 10 kilogramë e gjendej thuajse në regjim shtrati.