Ende nuk dihet asgjë për fatin e 26-vjeçarit Mateo Lika, i cili dy ditë më parë ka humbur kontaktet me familjarët. Në ditën e tretë, pavarësisht motit të keq polumbarët e forcave RENEA vijojnë kërkimet për Likën, që dyshohet të jetë përplasur me mjetin e tij me parmakt e urës së Mbrostarit e më pas të ketë rënë në Seman.
Kjo hipotezë u ngrit pasi parmakët u gjetën të shkatërruar, por situata mbetet e paqartë pasi nuk ka asnjë gjurmë, as nga mjeti dhe as nga 26-vjeçari. Nuk dihet saktësisht nëse automjeti ka rënë në ujërat e lumit Seman, apo është larguar nga aty pas përplasjes me urën.
Policia po heton në të dyja pistat, ndërsa kontrollet do të vijojnë si në ujërat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth. Mjeti ishte marrë me qira, por nuk ka pasur GPS dhe nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e 26-vjeçarit. Deri tani nuk është bërë denoncim tjetër dhe kjo i bën autoritetet të mendojnë se Mateo Lika udhëtonte i vetëm.
Një ditë më parë, polumbarët e forcave Renea kërkuan në ujërat e lumit për më shumë se 4 orë, por nuk arritën të gjenin automjetin apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë. Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman. Kërkimet vijojnë.
26-vjeçari kishte vetëm katër ditë që kishte ardhur nga Gjermania për të takuar familjarët e tij në Fier.