Hazir Stublla, një taksist shqiptar është bërë protagonist këtë javë në Gjermani me historinë e tij të portofolit të humbur nga Manuel Nojer. Ai ia kishte kthyer portierit të Bajernit mes shumë peripecish e si shpërblim kishte marrë vetëm një fanellë nga gardiani i bavarezëve, ndërsa kostot e udhëtimit kishin qenë shumë më të mëdha.
Historia bëri bujë pasi taksisti kërkonte që të paktën portieri të paguante rreth 400 euro, shpenzimet e karburantit për rrugën që kishte bërë për t’i kthyer portofolin. Një situatë e pakëndshme, e cila ka pasur një fund të lumtur falë një legjende të futbollit gjerman, Lotar Mateus.
Ky i fundit ka vendosur që t’i blejë Stubllës, baba i katër fëmijëve, këtë fanellë dhe pastaj ta nxjerrë në ankand për bamirësi në fondacionin ‘Ein Herz für Kinder’ me të cilin bashkëpunon. “Më shkoi menjëherë në mendje që ta bëja një gjë të tillë. Madje vendosa edhe një fanellë të autografuar nga unë”, shpjegoi Mateus për mediat gjermane, ku saktësoi se i kishte paguar taksisitit 1000 euro për atë fanellë.
“Lotar është më i miri. Më ka pëlqyer gjithmonë, por tani ai është heroi im”, ishte komenti i taksistit shqiptar pas gjestit të shkëlqyer të legjendës gjermane.