Dëshmitarja e parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vazhduar sot dhënien e dëshmisë së saj. Dëshmitarja do të dëshmojë edhe nesër në seancë me dyer të mbyllura për publikun. Identiteti i saj nuk është bërë i ditur por mësohet se dëshmitarja është sjellë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Pas përfundimit të pyetjeve të ZPS-së, dëshmitarja është përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Përveç Thaçit, në gjyqin në Hagë janë parë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të cilët kanë marrë pjesë fizikisht në procesin gjyqësor ndaj tyre.Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve. Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.